**
Urgjencat po përballen me një mbingarkesë të vazhdueshme, ndërsa pacientët detyrohen të presin me orë të tëra për një vizitë. Në Itali, ekspertët paralajmërojnë se sistemi i emergjencës po funksionon në kufijtë e kapaciteteve të tij, i goditur nga mungesa e mjekëve, fluksi i rasteve jo urgjente dhe vështirësitë e shërbimit shëndetësor territorial.
Shpesh, qytetarët nuk i drejtohen urgjencës sepse gjendja e tyre është kritike, por sepse nuk arrijnë të marrin një vizitë te mjeku i familjes. Telefonatat mbeten pa përgjigje, kalendari i vizitave është i mbushur dhe takimi i parë mund të jetë pas disa ditësh. Për shumë njerëz, urgjenca mbetet e vetmja zgjidhje.
Të dhënat e vitit 2023 tregojnë se rreth 18 milionë persona iu drejtuan urgjencave italiane, një rritje prej 6% krahasuar me një vit më parë. Nga këta, afro 22% nuk kishin një problem që kërkonte trajtim urgjent, por mund të ishin ndjekur nga shërbimet e kujdesit parësor.
Pse pritja zgjat kaq shumë?
Në urgjencë pacientët nuk vizitohen sipas radhës së mbërritjes, por sipas gjendjes shëndetësore. Përmes sistemit të triazhimit, infermierët përcaktojnë nivelin e urgjencës për secilin pacient, duke i dhënë përparësi rasteve më të rënda.
Kjo do të thotë se edhe nëse një pacient ka mbërritur më herët, ai mund të presë më gjatë nëse ndërkohë paraqiten raste me rrezik për jetën. Si pasojë, pacientët me probleme më pak serioze qëndrojnë shpesh për disa orë në sallat e pritjes.
Sipas të dhënave zyrtare, koha mesatare e qëndrimit për rastet me prioritet më të ulët arrin në rreth tre orë e gjysmë, por në shumë spitale pritja është edhe më e gjatë.
Mungojnë mijëra mjekë të familjes
Ekspertët e lidhin mbingarkesën e urgjencave me krizën në kujdesin shëndetësor territorial. Mjekët e familjes ndjekin mesatarisht mbi 1.380 pacientë secili, ndërsa përballen çdo ditë me ngarkesë të madhe administrative dhe mungesë burimesh.
Fondacioni Gimbe vlerëson se sistemit italian i mungojnë rreth 5.700 mjekë të familjes, duke bërë që shumë qytetarë të kërkojnë ndihmë direkt në urgjencë.
Edhe urgjencat kanë mungesë stafi
Situata rëndohet edhe nga mungesa e personelit në spitale. Një studim i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Urgjencës (Simeu) tregon se në shumë urgjenca numri i mjekëve dhe infermierëve është shumë më i ulët se nevojat reale, ndërsa në disa raste një profesionist mbulon punën e disa kolegëve.
Për vite me radhë, spitalet janë mbështetur te mjekët dhe infermierët e kontraktuar për turne të përkohshëm, të njohur si “gettonistë”. Megjithatë, nga korriku i vitit 2025 hyrën në fuqi kufizime për përdorimin e tyre, një masë që synon të ulë kostot, por që sipas ekspertëve mund të krijojë vështirësi të reja në mbulimin e turneve.
Të rinjtë nuk e zgjedhin më mjekësinë e urgjencës
Një tjetër alarm vjen nga universitetet. Edhe këtë vit shumë vende të specializimit në mjekësinë e urgjencës kanë mbetur bosh, pasi mjekët e rinj po zgjedhin degë me kushte më të mira pune dhe më pak ngarkesë.
Sipas specialistëve, pa investime serioze në personel, përmirësim të kushteve të punës dhe forcim të kujdesit shëndetësor territorial, urgjencat do të vazhdojnë të mbeten nën presion, ndërsa koha e pritjes për pacientët rrezikon të zgjatet edhe më tej./kb
