Ka dalë në publik traileri zyrtar i filmit biografik “Michael”, që sjell në fokus jetën dhe karrierën e Michael Jackson, një prej ikonave më të mëdha të muzikës botërore. Rolin kryesor e luan Jaafar Jackson, nipi i mbretit të pop-it, i cili interpreton xhaxhain e tij në këtë projekt ambicioz.
Filmi rrëfen historinë e Michael Jackson nga perspektiva e brendshme, duke ndjekur rrugëtimin e tij që nga ditët e hershme me Jackson Five, deri te transformimi në një artist vizionar, me ambicien dhe pasionin që e bënë një nga figurat më të njohura të muzikës. Sipas përmbledhjes zyrtare, projekti synon të pasqyrojë jo vetëm karrierën e tij të jashtëzakonshme, por edhe jetën personale dhe disa nga performancat më ikonike të epokës së tij solo.
Megjithatë, as traileri dhe as përshkrimi zyrtar nuk tregojnë nëse filmi do të prekë edhe polemikat dhe çështjet më të diskutueshme që shënuan vitet e fundit të jetës së Jackson, të cilat kanë ngjallur debate të gjata në opinionin publik.
Pas regjisë është Antoine Fuqua, ndërsa kasti përfshin emra të njohur të Hollivudit:
Miles Teller si avokati dhe bashkëpunëtori i ngushtë, John Branca
Colman Domingo si babai Joe Jackson
Nia Long si nëna Katherine Jackson
Jessica Sula si motra LaToya Jackson
Ndërsa pjesë e filmit janë edhe: Larenz Tate si themeluesi i Motown Records, Berry Gordy, Laura Harrier si producentja Suzanne de Passe, Kat Graham në rolin e Diana Ross, dhe Giuliano Valdi si Michael Jackson gjatë periudhës së Jackson 5.
Filmi biografik “Michael” pritet të shfaqet në kinematë botërore më 24 prill 2026, dhe publikimi i trailerit ka ndezur pritshmëritë, si dhe debatet mbi mënyrën se si do të portretizohet një nga figurat më komplekse dhe të adhuruara të muzikës moderne./mxh
