Last Updated on 14/04/2026 by EL
Detyrimet e prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve rezultojnë të jenë ulur ndjeshëm.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura nga rreth 12.7 miliardë lekë që rezultonte në Shtator 2025, është ulur në 5.8 miliardë lekë apo 58 milionë euro në Dhjetor 2025.
Kjo është shifra më e ulët ndër vite sa i takon stokut të detyrime.
Në totalin e borxhit të akumuluar deri në Dhjetor 2025, qeveria qendrore zë 1.5 miliardë lekë dhe ndërsa pushteti vendor zë afro 2.9 miliardë lekë. Ajo që vihet re është që qeveria qendrore ka ulur ndjeshëm stokun e detyrimeve krahasuar me fundin e Shtatorit 2025 me 5.8 miliardë lekë, ndërsa pushteti lokal ka regjistruar rritje shumë të lehtë detyrimeve në raport me Shtator 2025.
Sa i takon kategorisë së detyrimeve të prapambeturave, peshën më të madhe e zënë ato për investime publike, duke qenë se përgjatë këtij viti ka pasur një numër të lartë kantieresh të hapura, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
Konkretisht, detyrimet për investime, arrijnë vlerën e rreth 1.6 miliardë lekëve, zë ky i cili ka pësuar rënie në të dy nivelet e qeverisjes, por duket se qeveria qendrore ka shkarkuar pjesën më të madhe të detyrimeve të akumualuara.
Nga ana tjetër, stoku i detyrimeve për vendime gjyqësore për largime të padrejta nga puna apo ankimime të bizneseve arrin në 712 milionë lekë, dhe ka pësuar një rënie të të konsiderueshme në raport me Shtator 2025, në të cilin regjistroheshin në afro 2 miliardë lekë.
Kategoria “ të tjera” zë afro 873 milionë lekë të totalit të detyrimeve nga 1 miliardë lekë që ishte në Shtator.
Stoku i detyrimeve të prapambetura ka luhatje të vazhdueshme nga një tremujor në tjetrin në varësi të punëve publike të hapura, por angazhimi i qeverisë dhe detyrimi i pushtetit vendor është që të ndjekë një trend shlyerjeje deri në zerimin e plotë të tyre./et
