Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, se Shqipëria tregoi me afganët se madhësia e shpirtit nuk matet nga madhësia gjeografike apo ekonomike.
I pranishëm në ceremoninë e 10-vjetorit të nismës vullnetare “Fundjavë Ndryshe”, Rama tha se vendi ynë i hapi dyert afganëve, kur të tjerët i mbyllën.
“Bamirësia nuk është një gjest, as një ngjarje. Është disiplinë”, u shpreh ai, duke shtuar se bujaria e vërtetë nuk lidhet me dhënien e asaj që të tepron, por me vullnetin për t’u hapur ndaj tjetrit dhe për ta parë si pasqyrë të vetes.
Në vijim, Rama solli në vëmendje një ndër sfidat e kohëve të fundit, si rasti i strehimit të qytetarëve afganë, duke theksuar se Shqipëria zgjodhi të vepronte me humanizëm në një moment kur shumë vende të tjera nuk e morën atë hap. Ai tha se vendi ynë tregoi se madhësia e shpirtit nuk matet nga madhësia gjeografike apo ekonomike, por nga gatishmëria për të ndihmuar. M.P.
