Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sekjo ishte i pranishëm këtë të martë në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH, 2025-2026.
Në fjalën e tij, Sejko u ndal te dy problematika, plakja e popullsisë dhe largimi i vazhdueshëm i të rinjve.
Sipas Sejkos, këto shqetësime demografike përbëjnë rrezik për qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike të vendit, pasi ndikojnë në kërkesën dhe ofertën agregate, modelet e konsumit, bizneset dhe familjet shqiptare.
“Vendi ynë pasqyron shumë nga tendencat e përshkruara në këtë raport të radhës nga BERZH; plakjen e popullsisë të kombinuar me largim të konsiderueshëm të të rinjve dhe të popullsisë në moshë pune. Këto dinamika priten të vazhdojnë edhe në vijim dhe të përmbysin piamidën demografike. Popullsia ka ardhur në rënie të vazhdueshme ndërkohë që mosha mesatare po rritet me shpejtësi. Nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorët kyç i kanë bërë më të dukshme pasojat afatgjata të ndryshimeve demografike si për bizneset ashtu edhe për familjet. Plakja e popullsisë ndikon si në kërkesën, ashtu edhe në ofertën agregate, që ndryshon modelet e konsumit. Ndryshon produktivitetin, rrit kostot e prodhimit dhe në fund ndikon në çmimet, investimet dhe kapacitetin prodhues, duke përbërë kërcënim për qëndrueshmërinë afatagjatë të rritjes ekonomike”,-theksoi Sejko./K.M
