Last Updated on 28/09/2026 by Klara
Një fëmijë 2-vjeçar është eutanizuar në Holandë, në atë që, sipas të dhënave të bëra publike deri tani, është rasti i parë i eutanazisë së një fëmije nën 12 vjeç që nuk ishte i porsalindur.
Organi holandez që shqyrton raste të tilla bëri publike detajet, duke bërë të ditur se fëmija ishte pothuajse 24 muajsh në momentin e vdekjes dhe vuante nga probleme të rënda shëndetësore.
Sipas raportit të Komitetit për Ndërprerjen e Vonshme të Shtatzënisë dhe Ndërprerjen e Jetës së Foshnjave dhe Fëmijëve, ai kishte lindur para kohe, në javën e 26-të të shtatzënisë.
Gjatë jetës së tij të shkurtër, fëmija vuante nga dëmtime të rënda në tru, paralizë cerebrale dhe probleme me shikimin. Ai kishte gjithashtu kriza epileptike që nuk reagonin ndaj trajtimit, si dhe probleme me grumbullimin e mukusit në mushkëri, gjë që ia vështirësonte shumë frymëmarrjen.
Pasi u vlerësua se vuajtjet e fëmijës nuk mund të lehtësoheshin përmes trajtimit mjekësor, mjeku dhe prindërit vendosën t’i jepnin fund jetës së tij.
Hetimi i komitetit arriti në përfundimin se mjeku që kreu eutanazinë kishte vepruar me kujdesin e duhur.
Raporti tregon se mjeku ishte konsultuar edhe me mjekë të tjerë të pavarur për të marrë një opinion të dytë.
“Tre mjekë përcaktuan se fëmija në atë moment nuk po përjetonte vazhdimisht vuajtje të padurueshme”, thuhet në dokument.
Sipas tyre, epilepsia i shkaktonte shqetësime të mëdha, por krizat nuk ishin të vazhdueshme. Ata vlerësuan gjithashtu se ekzistonin ende alternativa të arsyeshme, mes tyre kujdesi paliativ dhe barna të tjera që mund të ndihmonin në kontrollin e krizave.
Megjithatë, eutanazia u krye pasi mjeku kërkoi edhe një tjetër opinion. Mjeku i konsultuar në këtë fazë arriti në përfundimin se “vuajtja e padurueshme e fëmijës ishte qartësisht e dukshme” dhe se kushtet për t’i dhënë fund jetës përmes eutanazisë ishin plotësuar.
Komiteti vlerësoi se mjeku kishte bërë vlerësimin e duhur.
“Të gjitha aspektet e ‘ekzistencës njerëzore’, aftësitë motorike, sjellja dhe personaliteti, ishin dëmtuar rëndë dhe nuk pritej të përmirësoheshin”, thuhet në raport.
“Pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve mjekësore dhe jo mjekësore, prindërit dhe mjeku nuk vunë re asnjë përmirësim në gjendjen e fëmijës dhe ishin të bindur se ai po përjetonte vuajtje të padurueshme, pa asnjë perspektivë lehtësimi.”
Në Holandë, dhënia fund e jetës së fëmijëve të sëmurë rëndë nga mosha një deri në 12 vjeç lejohet prej dy vitesh. Para ndryshimit të rregullave, eutanazia lejohej vetëm për të porsalindurit dhe personat mbi 12 vjeç.
Sipas ligjit holandez, prindërit duhet të konsultohen, fëmija duhet të përjetojë vuajtje të padurueshme dhe nuk duhet të ketë mundësi shërimi.
Në rastet e tjera, eutanazia në Holandë lejohet vetëm kur kërkesa bëhet nga vetë pacienti dhe mjeku përcakton se ai po përjeton vuajtje të padurueshme. Mjeku duhet gjithashtu të sigurohet se pacienti nuk po vepron nën presion dhe të marrë një opinion të dytë profesional.
Holanda u bë në vitin 2002 vendi i parë që legalizoi eutanazinë për personat me sëmundje terminale. Para ndryshimit të rregullave, nuk kishte një politikë të qartë për eutanazinë e fëmijëve nga një deri në 12 vjeç, pasi ata konsideroheshin të paaftë për ta marrë vetë një vendim të tillë./k.m
