Në pamje të parë, njerëzit me prirje narciste mund të duken jashtëzakonisht bujarë, madje edhe shumë simpatikë. Ata mund të japin komplimente pa kursim ose të paraqiten si personi më mbështetës në një grup. Për dikë që nuk i njeh mirë këto sjellje, kjo mund të duket si mirësi e sinqertë. Por, ndryshe nga empatia e vërtetë, mirësia e një personi narcist rrallëherë është pa kushte.
Për t’i bërë të tjerët të lidhen emocionalisht me ta, njerëzit me prirje narciste mund të përdorin fraza specifike që i bëjnë të duken të mirë. Të kuptosh se çfarë fshihet pas këtyre fjalëve është e rëndësishme për të dalluar sjelljet manipuluese. Nuk ka rëndësi vetëm çfarë thonë, por edhe pse e thonë.
1. “I bëra të gjitha këto për ty”
Kjo frazë mund të jetë një formë manipulimi dhe kontrolli. Personi paraqitet si altruist dhe fisnik, duke të të vendosur në një pozicion ku mund të dukesh mosmirënjohës nëse shpreh pakënaqësi ose kërkon diçka ndryshe.
Kjo mund të përdoret për të të bërë të ndihesh në faj dhe për të të shtyrë të pranosh atë që dëshiron personi tjetër, duke krijuar një ndjenjë borxhi ndaj tij. Duke i paraqitur veprimet e veta si sakrifica të bëra për të mirën tënde, ai mund të fshehë motivet e vërteta dhe të shmangë përgjegjësinë për sjelljen e tij. Kjo taktikë ndihmon në ruajtjen e kontrollit mbi marrëdhënien, ndërsa njëkohësisht mbron imazhin e personit si “i mirë”.

2. “Unë thjesht dua paqe”
Njerëzit me prirje narciste mund të kërkojnë “paqe” pasi një bisedë është zgjatur shumë ose kur duan të shmangin përballjen me ndjenjat e personit tjetër. Hulumtimet tregojnë se njerëzit me tipare narciste raportojnë më shpesh se ndihen të përjashtuar nga të tjerët, ndërsa edhe vetë mund të përjetojnë më shumë përjashtim për shkak të sjelljes së tyre.
Në këto raste, qëllimi mund të mos jetë zgjidhja e konfliktit, por mbyllja e një bisede që i bën të ndihen në siklet ose kërcënon kontrollin e tyre mbi situatën.
Duke u paraqitur si pala e qetë dhe e arsyeshme, personi mund ta portretizojë tjetrin si konfliktual ose të paarsyeshëm. Pra, nuk bëhet domosdoshmërisht fjalë për të gjetur paqen, por për të mbrojtur rehatinë e vet dhe për të ruajtur kontrollin.

3. “Je shumë i ndjeshëm, thjesht po bëja shaka”
Kjo frazë mund të përdoret për të zhvlerësuar ndjenjat e tua dhe për ta zhvendosur vëmendjen nga ajo që ka bërë personi tjetër. Njëkohësisht, mund të të bëjë të ndihesh në faj që u lëndove nga sjellja e tij, sikur problemi të jetë reagimi yt emocional.
Kjo lidhet me një formë manipulimi që mund të të bëjë të vësh në dyshim perceptimin tënd dhe të ndihesh fajtor kur vendos kufij.
Sipas psikoterapistit Mark Shelvock, prindërit me tipare narciste mund të shfaqin shumë vetëbesim të jashtëm, por pak qëndrueshmëri të brendshme. Një prind narcist që përdor humorin si mburojë për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe njëkohësisht e bën fëmijën të ndihet në faj duke i paraqitur sjelljet e tij si të padëmshme, mund të kontribuojë që fëmija të zhvillojë modele vetëdyshimi dhe vështirësi në vendosjen e kufijve në të ardhmen.

4. “Unë thjesht po tregohem i sinqertë”
Sinqeriteti pothuajse gjithmonë vlerësohet, por kur përdoret për të justifikuar komente lënduese ose manipuluese, mund të kthehet në problem.
Një person me prirje narciste mund ta përdorë këtë frazë për t’iu shmangur përgjegjësisë për mënyrën dhe tonin me të cilin shprehet. Mund të thotë gjëra lënduese dhe më pas t’i justifikojë duke pretenduar se “thjesht po thotë të vërtetën”.
Në një komunikim të shëndetshëm, sinqeriteti shoqërohet me empati dhe respekt. Por kur dikush e përdor këtë frazë si armë, ajo mund të të bëjë të dyshosh te vetja dhe të pyesësh veten nëse vërtet po reagon në mënyrë të tepruar.
5. “Askush tjetër nuk do të të duronte si unë”
Mos e ngatërro këtë me një shenjë përkushtimi. Kjo frazë mund të jetë një formë manipulimi emocional e maskuar si besnikëri.
Qëllimi është të të bëjë të ndihesh mirënjohës që personi të “duron”, në vend që të ndihesh i mbështetur ose i dashur. Mesazhi i fshehtë është se ti je i vështirë për t’u dashur dhe se personi tjetër po të bën një nder duke qëndruar me ty.

Në këtë mënyrë mund të përdoren ndjenja e fajit dhe frika e braktisjes për të të mbajtur të varur emocionalisht dhe për të të bërë të mendosh se nuk mund të largohesh.
Psikoterapistja Erin Leonard shpjegon se një person narcist mund të përdorë idealizimin dhe zhvlerësimin si mekanizma për të fituar kontroll emocional. Cikli shpesh nis me idealizimin, kur personi tjetër vendoset në një piedestal dhe mbulohet me lavdërime e vëmendje për të krijuar shpejt një lidhje intensive emocionale. Por, sapo fillojnë të shfaqen papërsosmëritë e tij, personi narcist mund të kalojë në fazën e zhvlerësimit dhe më pas të distancohet ose ta braktisë.
6. “Të gjithë thonë sa me fat je që më ke”
Në vend që ta shohë marrëdhënien si një hapësirë ku të dy njerëzit vlerësojnë njëri-tjetrin, personi narcist e konsideron veten si palën më të vlefshme.
Ai pret që ta vendosësh mbi veten dhe, kur kjo nuk ndodh, mund ta kthejë situatën kundër teje. Me kalimin e kohës, mund të fillosh të dyshosh në vlerën tënde dhe të besosh se askush tjetër nuk do të të trajtonte më mirë.

Kjo është një strategji e njohur e manipulimit: ngritja e vetes duke ulur tjetrin.
Sipas studiuesit Nigel Barber, psikologët socialë kanë vënë re një rritje të vazhdueshme të niveleve të narcismit të raportuara te studentët e universiteteve. Ai e lidh këtë me rritjen e individualizmit dhe vetëpromovimit në rrjetet sociale, në një kulturë që i kushton rëndësi të madhe pamjes dhe arritjeve.
7. “Uau, sot po që dukesh vërtet mirë”
Ky është një kompliment me kunj, pra një thumbim i fshehur brenda një fjalie që në pamje të parë duket pozitive.
Mund të duket si një koment i mirë, por fjalët “sot po” lë të kuptohet se zakonisht nuk dukesh mirë dhe se sot është një përjashtim i rrallë. Në këtë mënyrë, komplimenti mund të dëmtojë vetëvlerësimin ndërsa paraqitet si lavdërim.
Komente të tilla mund të të mbajnë në një gjendje pasigurie, duke të bërë të pyesësh veten se si të shohin të tjerët. Njerëzit narcistë, veçanërisht prindërit me tipare të tilla, mund ta përdorin këtë mënyrë komunikimi për të dobësuar gradualisht vetëbesimin e dikujt dhe për ta bërë atë më të varur nga miratimi i tyre, duke e lënë më të ekspozuar ndaj manipulimeve të mëtejshme emocionale.

8. “Unë jam i vetmi që të kupton vërtet”
Kjo frazë mund të përdoret si manipulim emocional për të të izoluar dhe për të krijuar një marrëdhënie varësie emocionale.
Duke pretenduar se është i vetmi person që mund të të kuptojë, personi e vendos veten në rolin e mbështetjes tënde të vetme emocionale. Kjo mund ta bëjë më të vështirë që të kërkosh ngushëllim ose këshilla te njerëz të tjerë.
Në të njëjtën kohë, zhvlerëson marrëdhëniet e tjera që ke dhe mund të të bëjë të mendosh se nuk mund t’i besosh askujt tjetër ose të flasësh hapur me të.
Sipas terapistit Dan Neuharth, njohja e mënyrës se si funksionojnë taktikat manipuluese të një personi narcist mund të ndihmojë në uljen e dëmit që ai mund të shkaktojë. Ndërgjegjësimi është hapi i parë për të rifituar qartësinë emocionale dhe për të vendosur kufij të shëndetshëm që mbajnë nën kontroll dinamikat manipuluese.

9. “Të fal”
Kjo taktikë mund të jetë veçanërisht manipuluese nëse nuk ke bërë asgjë të gabuar dhe nuk i ke kërkuar falje për diçka.
Fraza krijon konfuzion dhe një ndjenjë detyrimi emocional, duke të të mbajtur të përfshirë në ciklin e kontrollit të personit tjetër. Me kalimin e kohës, mund të të mësojë të marrësh përsipër fajin për gjëra që nuk janë përgjegjësia jote, duke forcuar pozitën dominuese të personit në marrëdhënie.
Por, siç kujton autorja Stephanie A. Sarkis, nuk je përgjegjës për sjelljen apo emocionet e një personi narcist. Reagimet dhe manipulimet e tij janë zgjedhje që ai bën dhe nuk përcaktojnë vlerën apo veprimet e tua. Ta kuptosh këtë është një hap i rëndësishëm për t’u shkëputur nga ndikimi i tij emocional.
10. “E urrej dramën”
Njerëzit me prirje narciziste mund të thonë se e urrejnë dramën, por shpesh mund të jenë vetë ata që e krijojnë ose e nxisin atë.
Është si të hedhësh gurin dhe më pas të fshehësh dorën. Ata mund të kërkojnë një debat ose konflikt dhe më pas të tërhiqen, duke e zhvendosur vëmendjen te reagimi yt në vend që të pranojnë se çfarë kanë bërë për të të çuar në pikën e fundit të durimit.
Hulumtimet tregojnë se burrat diagnostikohen më shpesh me çrregullim të personalitetit narcist për shkak të tipareve të tyre më të dukshme të madhështisë, ndërsa te gratë shfaqjet e narcismit mund të jenë më të fshehta, më të lidhura me marrëdhëniet ose më të ndjeshme dhe për këtë arsye mund të anashkalohen ose keqkuptohen më shpesh.
Manipulimi i tyre mund të kalojë pa u vënë re sepse fshihet pas sjelljeve të pranueshme shoqërisht, si përkujdesja për të tjerët, gjë që mund ta bëjë atë edhe më të dëmshme për personin që e përjeton.

11. “Unë jam njeri i mirë”
Njerëzit vërtet të mirë nuk kanë nevojë të shpallin vazhdimisht se sa të mirë janë. Në vend që t’i lënë veprimet të flasin për ta, njerëzit me prirje narciste mund ta deklarojnë mirësinë e tyre për të shmangur kritikat ose për të ndikuar në mënyrën se si i perceptojnë të tjerët.
Në këtë mënyrë, ata u kujtojnë të gjithëve se janë “të mirët”, edhe kur sjellja e tyre tregon diçka tjetër.
Psikoterapistja Tonya Lester thotë se problemi shfaqet kur prej tyre kërkohet më shumë sesa janë të gatshëm të japin. Pikërisht atëherë maska mund të fillojë të bjerë. Sapo investimi emocional bëhet një rrugë me dy drejtime dhe kërkohet reciprocitet, ata mund të tërhiqen.
Në të vërtetë, njerëzit vërtet të sjellshëm rrallë kanë nevojë të deklarojnë se janë të tillë. Mirësia e tyre shfaqet natyrshëm në mënyrën se si dëgjojnë dhe trajtojnë të tjerët./k.m
