Last Updated on 24/03/2026 by Anisa
Qytetarët italianë i kanë thënë “jo” qeverisë në referendumin dyditor për reformën në drejtësi, duke refuzuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga kabineti i drejtuar nga Giorgia Meloni. Sipas rezultateve, rreth 53% e votuesve dolën kundër reformës, duke lëkundur pozitat politike të qeverisë.
Referendumi, i zhvilluar të dielën dhe të hënën, shënoi një pjesëmarrje të lartë prej rreth 59%, një nga nivelet më të larta të viteve të fundit. Propozimet synonin ndryshime në Kushtetutë për sistemin gjyqësor, përfshirë ndarjen e rolit të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe reformimin e organeve mbikëqyrëse.
Në një video-mesazh në rrjetet sociale, kryeministrja pranoi rezultatin, duke theksuar se vendimi i qytetarëve do të respektohet.
“Sovraniteti i përket popullit dhe italianët janë shprehur qartë. Ne e respektojmë vendimin. Keqardhje për një mundësi të humbur për të modernizuar Italinë, por kjo nuk e ndryshon angazhimin tonë për të vazhduar të punojmë me seriozitet dhe vendosmëri për të mirën e kombit. Ne do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për popullin italian dhe për Italinë”, u shpreh Giorgia Meloni, pa dhënë sinjale për dorëheqje.
Rezultati është përshëndetur nga opozita. Ish-kryeministri Giuseppe Conte, drejtues i “Lëvizjes Pesë Yje”, deklaroi se “po agon një pranverë e re politike, ku qytetarët janë protagonistë”.
“Qytetarët po sinjalizojnë kërkesën për një politikë që është e vëmendshme ndaj nevojave të tyre dhe më pak e fokusuar në mbrojtjen e politikanëve nga hetimet”, u shpreh Giuseppe Conte.
Edhe ish-kryeministri Matteo Renzi e cilësoi rezultatin si një ngjarje të madhe politike, duke theksuar se “kur populli flet, qeveria duhet të dëgjojë”. Ai rikujtoi gjithashtu referendumin e vitit 2016, kur humbja e reformës kushtetuese çoi në rrëzimin e qeverisë së tij.
Ndërkohë, sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e cilësoi votën si një fitore të rëndësishme.
“Ne fituam! Një shumicë kombëtare ndaloi një reformë të gabuar. Një fitore edhe më e bukur sepse filluam nga një humbje e parashikuar, por në vend të kësaj e përmbysëm atë rezultat. Të rinjtë bënë diferencën, edhe pse jo-rezidentët nuk mund të votonin. Sapo të fitojmë zgjedhjet, do të miratojmë një ligj që u lejon jo-rezidentëve të votojnë”, deklaroi Elly Schlein./A.D
