Last Updated on 24/03/2026 by Anisa
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përkujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar atë si një moment përcaktues në histori dhe një pikë kthese për fatin e rajonit.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se 27 vite më parë bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente, ndërsa NATO ndërmori Operacionin Allied Force për të ndalur fushatën e dhunës dhe spastrimit etnik të ndërmarrë nga Slobodan Milošević kundër shqiptarëve në Kosovë.
Sipas tij, ndërhyrja përfaqësoi një moment kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën dhe kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin. Ai nënvizoi se veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive.
Hoxha kujtoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në atë periudhë, duke theksuar se vendi hapi dyert për refugjatët nga Kosova, pavarësisht sfidave ekonomike. Institucionet dhe qytetarët, sipas tij, u mobilizuan së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar strehim, ushqim dhe mbrojtje, në një akt solidariteti që reflektoi lidhjen e fortë historike dhe identitare mes dy vendeve.
Duke u ndalur te e tashmja, ministri u shpreh se sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qëndresës dhe sakrificës së popullit të saj. Ai theksoi se vendi ka bërë përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe është shndërruar në një aktor të përgjegjshëm në rajon.
Në përmbyllje, Hoxha vuri në dukje se Shqipëria qëndron sot si një anëtare krenare e NATO-s, aleancës që, sipas tij, ndali shkatërrimin dhe riktheu shpresën në Kosovë. Ai nënvizoi se rruga e Kosovës vijon drejt integrimit euro-atlantik, e mbështetur mbi vlerat e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut./A.D
