Bashkëkryetari i Reformës territoriale, Arbjan Mazniku, në Klan News, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mendon ai për Tiranën, u shpreh se kryeqyteti duhet të ketë një status të posaçëm, pasi nuk i shërben vetëm një qyteti, por gjithë vendit.
“Ky është një debat kompleks që nuk mund të reduktohet në numra apo ndarje territoriale, por duhet të bazohet tek funksionet, shërbimet dhe kapaciteti real i bashkive për t’u shërbyer qytetarëve. Për qytete si Tirana, është e qartë që duhet menduar edhe një status i posaçëm, pasi kryeqyteti nuk u shërben vetëm qytetarëve të vet, por gjithë vendit”, tha ai.
Duke folur më gjerësisht për reformën, Mazniku theksoi se diskutimi nuk duhet parë si një çështje ndarjeje bashkish, por si një analizë funksionesh dhe kapacitetesh reale.
Ai u shpreh se bashkitë duhet të kenë mundësi reale për të ofruar shërbime efikase për qytetarët, duke përfshirë pastrimin, mirëmbajtjen e shkollave, shërbimet sociale, infrastrukturën, furnizimin me ujë të pijshëm dhe ndërhyrjet në ura apo kanale vaditëse.
Sipas tij, këto funksione kërkojnë jo vetëm burime financiare, por edhe kapacitete ligjore dhe burime njerëzore të kualifikuara.
Mazniku paralajmëroi se reduktimi i debatit në çështje numrash është i gabuar dhe çon në një diskutim sipërfaqësor, pa analizë të mirëfilltë mbi aftësinë reale të bashkive për të përmbushur detyrat e tyre.
Ai nënvizoi se sot bashkitë kanë më shumë përgjegjësi se para vitit 2014, duke përfshirë mirëmbajtjen e shkollave dhe shërbimet mbështetëse, çka sipas tij e bën të pavlefshëm krahasimin e thjeshtë të numrit të stafit para dhe pas reformës.
Në këtë kontekst, Mazniku solli edhe të dhëna mbi strukturën e shpenzimeve, duke theksuar se në vitin 2014 rreth 70% e buxhetit të bashkive shkonte për paga dhe sigurime, ndërsa sot kjo shifër është rreth 44%, duke krijuar më shumë hapësirë për investime dhe shërbime.
Sa i përket fenomenit të largimit nga zonat rurale, ai theksoi se bëhet fjalë për një trend europian dhe jo vetëm shqiptar. Sipas tij, lëvizja e popullsisë drejt qyteteve lidhet më shumë me mundësitë për arsim dhe karrierë sesa me mungesën e shërbimeve.
