Last Updated on 02/04/2026 by Kesjana
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, së fundmi, vihet re një rënie historike e numrit të lindjeve në Shqipëri. Në vitin 2025, sipas INSTAT kishte 21 mijë e 124 lindje, nga mbi 82 mijë lindje në 1990, rreth 74% më pak.
Për këtë temë, e ftuar në emisionin Aldo Morning Show, ka folur ditën e sotme, me 2 prill dhe pedagogia e universitetit të Shkencave Sociale, Arjana Muçaj, e cila ka renditur dhe disa faktorë që, sipas saj, kanë ndikuar në rënien e lindjeve. Ajo thekson se arsyet nuk kanë të bëjnë me shëndetin e vajzave dhe grave në Shqipëri, por janë faktorë socialë, politikë apo ekonomikë që ndikojnë.
“Rënia e lindjeve është fenomen që ka prekur rajonin, vendet ku dhe ne emigrojmë. Nuk është problem shëndetësor. Nuk vuajmë nga ndonjë sëmundje që ndikon te lindshmëria. Do ta lidh me zhvillimet në shoqërinë shqiptare, që lidhen me politikën, aspektet sociale, kulturore. Ne kemi mbajtur vendin e parë në shoqëri sa i përket lindshmërisë në rajon para viteve ’90.
Sot kemi një ndryshim shumë të madh, që ka të bëjë me migrimin e brendshëm. U shkëputën nga zonat rurale në zonat urbane, ndaj dhe kryeqyteti nuk ka ato shifra sa i takon qyteteve të tjera. Numri më i madh i individëve që jetojnë në qytete të tjera janë në moshën 50 vjeç e lart. Mos harrojmë që në censusin e vitit 2023, lëvizja më e madhe ka qenë nga 20 deri në 39 vjeç, rreth 50%, që është mosha më vitale sa i përket lindshmërisë”, tha pedagogia.
Ajo shtoi se pasiguria financiare, pasiguria për të ardhmen tek të rinjtë dhe rritja e çmimeve të shportës është një faktor kryesor për rënien e lindjeve.
“Kemi një shifër të lartë papunësie dhe pse flitet që është ulur papunësia, por ka të bëjë me pjesën e pagave, sa të kënaqshme janë këto paga dhe a i sigurojnë kushtet minimale të jetesës që t’i japë siguri për krijimin e një familjeje”, tha Muçaj.
Më tej u ndal dhe te rëndësia që të rinjtë i kushtojnë karrierës, e cila ka ndikuar tek rënia e lindshmërisë në mosha të reja./kb
