Revista Time emëroi arkitektët e inteligjencës artificiale si “Personazhin e Vitit”, duke theksuar aftësinë e tyre për të sjellë epokën e makinave menduese me teknologji transformuese.
“Personazhi i Vitit është një mënyrë e fuqishme për të tërhequr vëmendjen e botës tek njerëzit që formojnë jetët tona. Dhe këtë vit, askush nuk pati një ndikim më të madh sesa individët që imagjinuan, projektuan dhe ndërtuan inteligjencën artificiale,” shkroi Sam Jacobs, kryeredaktor i Time, në një letër për lexuesit.
Jacobs i përshkroi arkitektët e AI-së si ata që “mahnisin dhe shqetësojnë njerëzimin” dhe “transformojnë të tashmen dhe tejkalojnë të mundshmen.”
Numri i vitit 2025 i Time për Personazhin e Vitit përmban një artikull kryesor që eksploron mënyrat se si AI ndryshoi botën gjatë vitit në mënyra të reja dhe “ndonjëherë frikësuese.” Artikulli përfshin intervista me shefin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, i cili prodhon çipet që fuqizojnë bum-in e AI-së, si dhe me investitorë të AI-së, përfshirë CEO-n e SoftBank, Masayoshi Son.
Numri trajton edhe aspekte shqetësuese të AI-së, si rasti i vdekjes së një të riu 16-vjeçar nga Kalifornia që kryen vetëvrasje, pas së cilës prindërit paditën kompaninë OpenAI, prodhuesin e ChatGPT, duke e fajësuar për bisedat që djali i tyre kishte pasur me chatbot-in.
Time është ndër shumë media që bashkëpunojnë me kompani të AI-së për të licencuar përmbajtje dhe për të zhvilluar mjete të reja. Në qershor 2024, revista nënshkroi një marrëveshje shumëvjeçare për përmbajtje me OpenAI, që i dha kompanisë akses në arkivin e lajmeve të saj. ChatGPT, si përgjigje ndaj pyetjeve të përdoruesve, citon dhe lidh informacionin me burimin në Time.com.
Në vitin 2024, Time kishte emëruar Presidentin në detyrë të atëhershëm, Donald Trump, si Personazhin e Vitit, po ashtu siç e kishte bërë edhe në 2016. Fitues të tjerë të njohur të kaluar përfshijnë këngëtaren Taylor Swift, Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe shefin ekzekutiv të Tesla-s, Elon Musk./mxh
