Last Updated on 15/06/2026 by Anisa
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka bërë të ditur nisjen e procesit të konsultimit për krijimin e Institutit Onkologjik Kombëtar, një reformë që synon modernizimin dhe standardizimin e kujdesit ndaj pacientëve me sëmundje tumorale në Shqipëri.
Gjatë një tryeze të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ministrja prezantoi tre prioritetet kryesore të ministrisë: reformën farmaceutike, transformimin e kujdesit onkologjik dhe digjitalizimin e sistemit shëndetësor.
“Instituti Onkologjik Kombëtar do të jetë një strukturë universitare, njësi kërkimore-shkencore, qendër kombëtare reference për sëmundjet tumorale dhe koordinatori i Rrjetit Kombëtar të Onkologjisë. Krijimi i tij përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi modern, të integruar dhe të standardizuar të kujdesit onkologjik në vend”, u shpreh ministrja Sala.
Ministrja njoftoi gjithashtu se Lista e Barnave të Rimbursueshme 2026 do të përfshijë 55 barna alternative tregtare të reja dhe 27 principe aktive të reja, ndërsa për barnat onkologjike inovative do të alokohen 1.5 miliardë lekë shtesë, duke rritur me 16% buxhetin krahasuar me vitin 2025.
Në fushën e diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit, Sala bëri të ditur se është vënë në funksion Akseleratori i tretë Linear dhe brenda vitit pritet instalimi i të katërtit. Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, synohet ofrimi i shërbimeve të PET Scanner dhe Brakiterapisë.
Një tjetër reformë madhore mbetet projektligji “Për produktet mjekësore për përdorim në njerëz”, i cili synon harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe krijimin e një sistemi më modern e transparent për sektorin farmaceutik.
Ministrja theksoi se nga 1 gushti spitalet publike do të funksionojnë në mënyrë elektronike, si pjesë e procesit të digjitalizimit të sistemit shëndetësor, me synim përmirësimin e koordinimit të kujdesit dhe menaxhimit të të dhënave shëndetësore./a.d
