Partia Demokratike është irrituar me faktin e miratimit të rezolutës së shpalljes së Iranit si shtet sponsorizues të terrorizmit dhe një rezolutë e tillë është mbajtur e fshehtë për opozitën.
Deputeti Tritan Shehu, anëtar i Komisionit Parlamentar të Jashtëm, e ngriti këtë shqetësim në mbledhjen e paradites në komision, duke e quajtur këtë rezolutë “okulte”, “me vizion të cunguar”, “rezolutë që ngre dyshime”, apo që është bërë “me qëllime të tjera”.
Akuzat politike të opozitës janë të rënda, duke konsideruar se Parlamenti dhe mazhoranca për një çështje kaq të rëndësishme, marrin vendime “në mënyrë të fshehtë dhe pa transparencë”. “Juve në orën 9 lajmëruar për Konferencën e Kryetarëve dhe aty nuk kishte asnjë pikë për rezolutën.
Në orën 10.00 ishte seanca plenare. Kur do të mblidhej komisioni i jashtëm ta diskutonte”, pyeti Tritan Shehu anëtarët e komisionit. Klodiana Spahiu, anëtare e komisionit e nënkryetare e Kuvendit informoi zotin Shehu se gjithë procedurat janë bërë conform rregullores, dhe se rezoluta është përshëndetur nga partnerët kryesorë të Shqipërisë dhe aleatët strategjikë. “Na vjen keq që nuk ishit në sallë. Por këtë e keni Brenda vetes suaj, Brenda partisë suaj.
Sepse ju zgjodhët të mos ishit pjesë e kësaj vendimarrjeje. Nuk na takon ne të diskutojmë vendimet tuaja” tha Spahiu. Deklarata e nënkryetares së Kuvendit irritoi zotin Shehu që i kujtoi se këtu jemi në Kuvendin e Shqipërisë, në komisionin e politikës së jashtme dhe nuk është e nevojshme të përmenden faktorë të tjerë të jashtëm e të brendshëm.
“Ne duhet të jemi në nivelin e detyrave tona. Pse në këtë rezolutë nuk është përmendur Hamasi”, pyeti zoti Shehu. “Mbledhja u bojkotua prej jush, shpresoj në të ardhmen të jemi të gjithë nëpër mbledhje” apeloi kryetari I Komisionit Igli Hasani. “Ju na keni marrë edhe në telefon herë tjetër e na keni njoftuar.
Këtë radhë nuk bëtë asnjë veprim’ konkludoi Tritan Shehu tepër i irrituar për situatën. Në seancën plenare të së martës, me votat e mazhorancës në mungesë të opozitës, parlamenti vendosi miratimin e një resolute që e shpallte Iranin si shtet që sponsorizon terrorizmin, duke u rradhitur krah aleatëve strategjikë të Shqipërisë.
