Balerini i famshëm italian Roberto Bolle do të lërë gjurmën e tij edhe në trotuarin më të famshëm të botës. Ai është përzgjedhur mes 32 personaliteteve të industrisë së argëtimit që do të nderohen gjatë vitit 2027 me një yll në Hollywood Walk of Fame, një nga vlerësimet më prestigjioze në botën e artit dhe spektaklit.
Në moshën 51-vjeçare, artisti nga Piemonte, i cili nisi studimet e baletit kur ishte vetëm 11 vjeç, bëhet balerini i parë italian që fiton këtë nderim në kategorinë Teatër dhe Performancë Live.
“Një nga njohjet më të rëndësishme të jetës sime”
Lajmin Bolle e ndau me emocion në rrjetet sociale.
“Ka objektiva që duken si ëndrra, derisa një ditë bëhen realitet. Të jem pjesë e klasës së Hollywood Walk of Fame 2027 është pikërisht një prej tyre. Është një vlerësim që më prek thellë dhe që e konsideroj ndër më të rëndësishmit në jetën dhe karrierën time.”
Ai theksoi se ky sukses nuk i përket vetëm atij.
“Asnjë rrugëtim si ky nuk ndërtohet vetëm. Dua ta ndaj këtë nder me familjen time, ekipin tim, të gjithë ata që më kanë mbështetur ndër vite dhe publikun që vazhdon të më ndjekë me dashuri e entuziazëm. Ky yll sjell edhe pak balet, art dhe Itali në zemër të Hollywood-it.”
Në krah të emrave të mëdhenj italianë
Me këtë vlerësim, Roberto Bolle bashkohet me galerinë e artistëve italianë që kanë hyrë në historinë e Hollywood-it. Përpara tij janë nderuar figura si Sofia Loren, Ennio Morricone, Luciano Pavarotti, Enrico Caruso, Giancarlo Giannini, Franco Nero dhe Carlo Rambaldi, mjeshtri i efekteve speciale që krijoi personazhin legjendar të E.T. dhe fitoi tre çmime Oscar.
Bolle bëhet artisti i 19-të italian që merr një yll në Walk of Fame.
32 emra që kanë lënë gjurmë në botën e argëtimit
Kryetari i Komitetit Përzgjedhës të Hollywood Walk of Fame, Peter Roth, vlerësoi grupin e artistëve të përzgjedhur për vitin 2027.
“Secili prej këtyre 32 personaliteteve ka lënë një gjurmë të pashlyeshme te publiku në mbarë botën falë talentit, krijimtarisë dhe përkushtimit ndaj profesionit. Jemi të nderuar t’i mirëpresim në historinë e Hollywood-it.”
Emrat fitues u përzgjodhën nga qindra kandidatura dhe u miratuan më 22 korrik nga Bordi Drejtues i Dhomës së Tregtisë së Los Anxhelosit. Ata përfaqësojnë fusha të ndryshme të industrisë së argëtimit, përfshirë kinemanë, televizionin, muzikën, radion, teatrin, performancën live dhe argëtimin sportiv.
Për Roberto Bolle, ylli në Hollywood nuk është vetëm një sukses personal. Është një njohje ndërkombëtare për baletin italian dhe një tjetër dëshmi se arti i vallëzimit mund të zërë vend mes ikonave më të mëdha të kulturës botërore.
Burimi: ansa.it
