Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga vizita e saj zyrtare në Kiev të Ukrainës. Spiropali shprehet se gjatë kësaj vizite pa më nga afër lodhjen e shtetasve ukrainas nga lufta.
Ndër të tjera, ministrja bën më tej me dije se u nderua nga presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.
Postimi i plotë:
Rrëfim i javës në imazhe.
Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.
Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.
Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë./mxh
