Last Updated on 30/03/2026 by EL
Ish-sulmuesi i Milanit, M’Bae Niang, ka rikujtuar eksperiencën e tij me kuqezinjtë në një intervistë për “beIN Sports”, duke ndarë detaje interesante për ish-shokët e skuadrës dhe disa prapaskena të panjohura.
Duke folur për lojtarin më të fortë që ka parë te Milani, Niang nuk hezitoi të veçojë Aleksandre Pato. “Te Milani ishin Robinjo, Filipo Inzagi, edhe Xhenaro Gatuso. Por lojtari që më ka mahnitur më shumë ishte Pato. Është për të ardhur keq që dëmtohej shpesh, sepse nga ajo që kam parë prej tij, as Kilian Mbape nuk bën ato gjëra. Dhe po flasim për Mbape. Ishte i kompletuar, me të djathtën, të majtën, i fortë fizikisht, i fuqishëm në ajër… kishte një shpërthim të jashtëzakonshëm. Por dëmtimet e shpeshta e penalizuan shumë.”
Niang zbuloi edhe një episod interesant nga koha e tij te Milani, që lidhet me një dëmtim dhe reagimin e ish-drejtorit Adriano Galiani. “U dëmtova në pjesën e përparme të këmbës dhe Galiani më tha se do të qëndroja 4 muaj jashtë, ndaj mund të shkoja në Spanjë te familja. Por nuk duhet të vrapoja apo të kërceja dhe më tha qartë, pa video. Ditën e parë, me një shok, pamë një pishinë të madhe. I thashë: filmo, por mos e dërgo te askush. Ai më filmoi duke u hedhur në pishinë… dhe më pas e dërgoi videon në grupin e lojtarëve të Milanit! Pesë minuta më vonë më telefonoi Galiani. Më përgjysmoi pagën dhe më tha të kthehesha menjëherë nga pushimet”, tha ai./ET
