Sharon Stone ka ndarë një rrëfim të rrallë dhe mjaft të sinqertë për të kaluarën e saj, duke zbuluar se fëmijëria e saj nuk ishte aspak ajo që shumë mund të imagjinojnë për një yll të Hollywood-it. E ftuar në The Drew Barrymore Show, aktorja foli për jetën e vështirë të prindërve dhe ndikimin që kjo ka pasur në jetën e saj.
Sipas saj, historia e babait të saj është një përzierje mes privilegjit të humbur dhe fatit të keq. Ai vinte nga një familje e pasur me lidhje të hershme me industrinë e naftës në Pensilvani dhe madje me rrënjë mbretërore. Por një tragjedi ndryshoi gjithçka: një aksident gjatë shpimeve të naftës i mori jetën disa anëtarëve të familjes dhe, për shkak të ligjeve të kohës që nuk u jepnin të drejta grave, pasuria kaloi te një i afërm mashkull. Kështu, familja e babait të saj humbi gjithçka dhe u detyrua të niste nga e para në kushte të vështira.
Gjyshja e saj, siç tregoi Stone, u detyrua të punonte si infermiere dhe të rrisë fëmijët në kushte minimale, madje duke jetuar në një stallë. Babai i saj punoi që në moshë të vogël dhe me kalimin e viteve arriti të rindërtojë një pjesë të asaj që familja kishte humbur, por jeta e tij mbeti e shënuar nga mungesat.
Edhe historia e nënës së saj është po aq e dhimbshme. Ajo u rrit në varfëri ekstreme dhe u largua nga shtëpia që në moshë shumë të vogël për shkak të abuzimit. Vetëm nëntë vjeç, u detyrua të punonte si shërbëtore, duke marrë përsipër përgjegjësi që nuk i përkisnin një fëmije. Më vonë, ajo u martua shumë e re, duke hyrë në jetën e të rriturve para kohe.
Në këtë kontekst, Sharon Stone pranoi se edhe fëmijëria e saj ishte larg normales. Ajo u rrit në një familje të prekur nga pasojat e varfërisë dhe traumave të trashëguara, ku të dy prindërit e saj, të formuar nga periudha e Great Depression dhe Luftës së Dytë Botërore, përpiqeshin të mbijetonin në kushte të vështira.
Pavarësisht kësaj, rrugëtimi i saj drejt suksesit ishte një mënyrë për të thyer ciklin e vështirësive. Ajo kujton se për herë të parë ndjeu njëfarë sigurie financiare vetëm kur u zhvendos në Nju Jork për të ndjekur karrierën si modele. Rrëfimi i saj hedh dritë mbi një realitet që shpesh mbetet i padukshëm pas famës: historitë e vështira që formësojnë njerëzit përpara se të arrijnë majat./mxh
