Last Updated on 05/04/2025 by adminfjala
“Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rritje me 35% të pagesave me kartë vitin që lamë pas, të cilat si vlerë transaksionesh arritën në 64.1 miliardë Lekë. Ky tregues i atribuohet numrit të lartë të turistëve si dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorimin e parasë digjitale”.
Rreth 64% e numrit total të pagesave nëpërmjet bankave janë kryer duke përdorur karta debiti dhe krediti. Në fund të vitit 2024, numri i kartave aktive në qarkullim është 1,5 mln me një rritje prej 5.4% nga viti i kaluar.
Pothuajse të gjitha kartat kanë edhe funksion pagese, krahas funksionit të tërheqjes apo depozitimit të parasë fizike.
Sipas Bankës së Shqipërisë përdorimin më të lartë të kartave e shfaqin individët në 93.5% të numrit të pagesave me kartë. Në përdorimin e kartave mbizotërojnë kartat me funksion debiti, rreth 87.7%, me një vlerë mesatare për transaksion prej 6,746 Lekësh. Pjesën tjetër të pagesave me karta e zënë kartat e kreditit, të cilat zakonisht shënojnë një vlerë mesatare më të lartë për transaksion./e.t