Rusia ndërmori një valë masive sulmesh hakmarrëse me raketa balistike dhe dronë mbi qytetet ukrainase, si përgjigje ndaj goditjeve shkatërruese që Kievi kreu të shtunën me dronë ndaj magazinave për mallrat e shitjeve online, ku u vranë 8 persona.
Mbrojtja ajrore ukrainase u vu në provë të vështirë nën një breshëri prej 41 raketash dhe mbi 100 dronësh. Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë si një nga sulmet më masive balistike ndaj kryeqytetit, ku raportohen të paktën 4 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga goditjet në zona banimi dhe logjistike.
Pavarësisht këtij presioni të egër, ukrainasit nuk i kanë ndalur sulmet e tyre në orët e fundit, duke shënjestruar sërish industrinë e naftës dhe depozitat ruse të karburantit. Shërbimi i Sigurisë, SBU, goditi njëkohësisht katër impiante karburanti në rajonin Stavropol.
Pjesë e këtyre sulmeve, siç duket edhe në pamjet e publikuara rishtazi, ishin edhe anijet e “flotës hije” të naftës ruse në Detin e Zi, ku dronët detarë të Kievit arritën të godasin dhe të dëmtojnë rëndë tre anije të mëdha nafte./mxh
