Sot, Kuvendi i Shqipërisë pritet të diskutojë për një nga postet më të rëndësishme kushtetuese në vend – atë të Avokatit të Popullit. Pas më shumë se tre vitesh pezullimi, procesi për zëvendësimin e Erinda Ballancës është rikthyer në rendin e ditës. Mandati pesëvjeçar i Ballancës përfundoi në maj të vitit 2022, por ajo ka vijuar detyrën përkohësisht në mungesë të një pasardhësi të dakordësuar nga forcat politike.
Në të kaluarën, disa tentativa për të gjetur një kandidat konsensual mes mazhorancës dhe opozitës kanë dështuar, për shkak të mungesës së 84 votave që kërkon ligji për miratimin e Avokatit të Popullit. Megjithatë, këtë herë duket se situata ka ndryshuar. Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike do të zhvillojë sot mbledhjen për shpalljen e vakancës dhe ftesën publike për aplikime në këtë pozicion. Burime nga shumica parlamentare bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama pritet të propozojë emrin e Ilir Rusmalit, ish-ministër i Drejtësisë dhe aktualisht këshilltar ligjor në Institucionin e Presidentit. Ky propozim shihet si një surprizë politike, duke pasur parasysh profilin e pavarur të Rusmalit dhe të kaluarën e tij në kampin e djathtë. Rama e ka cilësuar Rusmalin “një figurë me integritet të pakontestueshëm dhe me pavarësi të rrallë intelektuale”, duke kujtuar dorëheqjen e tij për arsye morale pas tragjedisë së Gërdecit, vlerësime këto që i bëri pak ditë më parë, kur komentoi dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë.
Me 83 vota të sigurta në Kuvend dhe mbështetjen e mundshme të PSD-së, Partia Socialiste ka shanset reale të kalojë kandidaturën edhe pa dakordësinë e opozitës. Nëse kjo ndodh, Ilir Rusmali mund të bëhet Avokati i ri i Popullit, duke mbyllur një nga vakancat më të gjata në institucionet e pavarura shqiptare./kb
