Last Updated on 12/09/2025 by adminfjala
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka hedhur akuza ndaj qeverisë së re të prezantuar ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Salinji e etiketon kabinetin “Rama 4” si “qeveri sekti dhe pushteti”.
Salianji nënvizon se çdo emërim i bërë nga Rama synon vetëm përjetësimin e sundimit personal dhe shuarjen e çdo hapësire kontrolli institucional.
Gjithashtu ish-ligjvënësi demokrat i bën thirrje qytetarëve që mos pranojnë më një qeverisje, që sipas tij, nuk sjell asgjë pozitive për vendin.
“Propozimi i qeverisë të vjetër dhe konsumuar nga skandalet dhe abuzimet nuk sjell asgjë pozitive për qytetarët dhe Shqipërinë! Kjo është qeveri sekti dhe pushteti, jo e qytetarëve. Çdo propozim i Edi Ramës ishte për të përjetësuar sundimin personal dhe për të mbyllur edhe ato pak hapësira kontrolli që kanë mbetur.
Asnjë vizion për ekonominë, asnjë fjalë për sigurinë, mirëqenien dhe shpresën e shqiptarëve! Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë pushtet në duart e një njeriu, por për institucione të forta, ekonomi të zhvilluar dhe siguri për çdo familje. Ky është momenti për opozitën dhe qytetarët që të mos pranojnë më një qeverisje që mendon vetëm për mbijetesën e vet politike dhe jo për të ardhmen e vendit”, shkruan Salianji. m.p.
