Për shumë udhëtarë, sallonet VIP të aeroporteve duken si ambiente të rezervuara vetëm për ata që fluturojnë në business class.
Por realiteti ka ndryshuar. Sipas një artikulli të Yahoo Travel, shumë njerëz nuk e dinë se mund të kenë akses në këto ambiente edhe pa një biletë premium, duke humbur një nga përfitimet më të vlefshme të udhëtimit.
Sallonet ofrojnë një eksperiencë krejt ndryshe nga terminali: ushqime dhe pije falas, Wi-Fi më të shpejtë, ambiente të qeta për të punuar ose pushuar, priza për karikim, dushe në disa aeroporte dhe, në disa raste, edhe dhoma relaksi.
Për këdo që ka një tranzit të gjatë ose një fluturim të vonuar, ato mund të jenë një alternativë shumë më komode sesa të presësh në zonën e zakonshme të nisjeve.
Shumë udhëtarë mendojnë se hyrja është e mundur vetëm me një biletë business ose first class, por kjo është vetëm një nga mënyrat.
Aksesi mund të sigurohet edhe përmes kartave premium të kreditit, programeve të besnikërisë të linjave ajrore, abonimeve si Priority Pass ose duke blerë një hyrje ditore në aeroport. Në disa raste, një hyrje kushton më pak sesa një vakt dhe disa pije në terminal.
Megjithatë, ekspertët këshillojnë të bëni llogaritë përpara se të paguani. Nëse do të qëndroni vetëm 30-40 minuta në aeroport, hyrja mund të mos ia vlejë.
Por në rast të një pritjeje prej disa orësh, sidomos në aeroporte ku ushqimi është i shtrenjtë, salloni mund të rezultojë një zgjedhje më ekonomike. Ushqimet, pijet, interneti dhe ambienti i qetë mund të kompensojnë tarifën e hyrjes.
Nga ana tjetër, popullariteti i tyre ka sjellë edhe një problem të ri. Në shumë aeroporte, sallonet VIP janë bërë aq të mbipopulluara sa krijohen radhë për të hyrë, ndërsa disa operatorë kanë kufizuar aksesin për disa karta krediti ose programe besnikërie.
Kjo ka bërë që udhëtarët të kontrollojnë paraprakisht rregullat e aksesit dhe disponueshmërinë përpara se të mbërrijnë në aeroport.
Për udhëtarët që fluturojnë shpesh, përdorimi i salloneve VIP nuk konsiderohet më luks, por një mënyrë për të përmirësuar eksperiencën e udhëtimit dhe, në disa raste, edhe për të kursyer para.
Në vend që të shpenzojnë për ushqim, pije dhe hapësira pune në terminal, gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin një hyrje në lounge si pjesë të planifikimit të udhëtimit./ NERDWALLET-ad
