Salma Hayek feston sot 60-vjetorin e lindjes, ndërsa pas saj qëndron një karrierë e gjatë dhe një rrugëtim aspak i lehtë drejt Hollywood-it. Ajo është një prej emrave më të njohur të kinemasë amerikane, por rruga nga një vajzë e rritur në një familje të pasur në Meksikë, te një aktore e suksesshme në industrinë amerikane, është e mbushur me vështirësi, vendosmëri dhe momente që e kanë vënë në provë.
E lindur në Coatzacoalcos, në Meksikë, Hayek ka rrënjë libaneze nga ana e babait dhe spanjolle nga ana e nënës. Në moshën 12-vjeçare u dërgua për të studiuar në SHBA, ndërsa pas kthimit në Meksikë nisi universitetin. Megjithatë, shumë shpejt vendosi ta braktiste studimet për t’iu përkushtuar aktrimit.
Roli në telenovelën “Teresa” e bëri të njohur në Meksikë, por Salma kërkonte më shumë. Në atë kohë, industria e filmit në vend nuk ofronte mundësitë që ajo kërkonte dhe aktorja vendosi të provonte fatin në Hollywood.
Fillimet në SHBA ishin të vështira. Një prej pengesave kryesore ishte gjuha angleze. Pavarësisht se kishte studiuar në SHBA, Hayek tregoi se nuk e zotëronte gjuhën në nivelin që i duhej për të ndërtuar karrierën si aktore.
Situata u komplikua edhe nga disleksia, e cila i krijonte vështirësi me tekstet që duhej të mësonte. Megjithatë, ajo vazhdoi përpara dhe studioi edhe në prestigjiozen Stella Adler Acting Studio.
Një pikë kthese erdhi kur u takua me regjisorin meksikan Robert Rodriguez. Ai e përfshiu në “From Dusk Till Dawn”, ndërsa më pas e zgjodhi edhe për “Desperado”, filmi që do ta kthente në një prej emrave më të komentuar të Hollywood-it.
Pas vitesh, Hayek ka treguar se xhirimi i skenës intime në Desperado ishte një prej momenteve më të vështira të karrierës së saj.
E rritur në një familje thellësisht katolike, aktorja ndihej në siklet nga ideja se babai dhe vëllai i saj do ta shihnin në një skenë të tillë në ekran. Ajo nisi të qante dhe, ndërsa xhirimet fillimisht ishin parashikuar të zgjasnin rreth një orë, situata zgjati për rreth tetë orë.
Rodriguez, i cili ishte nën presion për të përfunduar skenën, thuhet se në një moment mendoi edhe ta largonte nga projekti. Në fund, skena u realizua duke bashkuar pjesë të ndryshme të xhirimeve.
Por edhe pas përfundimit të filmit, Hayek u përball me një tjetër keqkuptim. Kur lexoi një recension ku shkruhej se “Salma Hayek is a bomb”, ajo mendoi se po kritikohej si aktore. Në fakt, shprehja nënkuptonte se ajo ishte jashtëzakonisht tërheqëse.
Megjithatë, Salma dëshironte të vlerësohej për talentin e saj dhe jo vetëm për pamjen.
Pas Desperado, Hayek u shfaq në disa filma të rëndësishëm, mes tyre Wild Wild West, Traffic dhe The Faculty. Por ishte roli i artistes meksikane Frida Kahlo në filmin “Frida”, në vitin 2002, ai që e konsolidoi përfundimisht si një aktore serioze.
Hayek ishte gjithashtu producente e filmit dhe luftoi fort që projekti të realizohej. Filmi mori gjashtë nominime për Oscar, përfshirë edhe nominimin e Hayek për aktoren më të mirë.
Nga një yll telenovelash në Meksikë, Salma Hayek arriti kështu të ndërtonte një karrierë ndërkombëtare, duke kapërcyer pengesat e gjuhës, paragjykimet dhe vështirësitë e industrisë së Hollywood-it.
Në 60-vjetorin e saj, Salma Hayek mbetet një prej aktoreve meksikane më të suksesshme në Hollywood dhe historia e saj është dëshmi e një karriere të ndërtuar me këmbëngulje, guxim dhe shumë përpjekje./mxh
