Last Updated on 08/07/2026 by EL
Vendimi që Shqipëria të jetë mikpritësja e Samitit të ardhshëm të NATO-s është vlerësuar si një moment historik për vendin nga Ministri Ermal Nufi. Përmes një reagimi zyrtar, ai ka theksuar se kjo përzgjedhje dëshmon besimin e madh që aleatët kanë te Shqipëria dhe te roli i saj në rajon.
Sipas ministrit, ky hap vjen si një mirënjohje e drejtpërdrejtë për kontributin dhe stabilitetin që vendi ynë ofron në kuadër të aleancës më të madhe ushtarake në botë.
“Një moment historik për Shqipërinë. Vendimi për të pritur Samitin e ardhshëm të NATO-s në Shqipëri pasqyron besimin që Aleatët tanë kanë tek vendi ynë dhe vlerëson angazhimin tonë të palëkundur ndaj vlerave euroatlantike, mbrojtjes kolektive dhe sigurisë rajonale,” shkruan Ministri Nufi.
Më tej, ai siguroi se vendi është plotësisht i gatshëm nga ana organizative dhe logjistike për të përballuar një ngjarje të këtyre përmasave globale, e cila do të sjellë në Shqipëri liderët më të lartë botërorë.
“Është një nder i madh të mirëpresim liderët e NATO-s dhe jemi të gatshëm ta përmbushim këtë përgjegjësi me krenari,” përfundoi ai.
Ky samit shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të diplomacisë dhe sigurisë në historinë moderne të Shqipërisë, duke e pozicionuar vendin si një pikë kyçe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë./et
