Last Updated on 18/02/2025 by adminfjala
Shqipëria është kthyer në një shtëpi për ukrainasen Oksana Genkina Subashi, edhe pse 13 vite më parë as nuk e mendonte që vendi që e pa thjesht si mundësi pune, do t’i sillte një familje. Ajo është martuar me një djalë shqiptar, i cili ishte koleg i saj dhe bashkë kanë tre fëmijë.
Ukrainasja tregon në programin “Aldo Morning Show” se ka gjetur ngjashmëri mes dy vendeve, sidomos lidhur me familjen çka ka ndihmuar në marrëdhënien e tyre. Oksana është përshtatur me zakonet e traditat, ndonëse nuk i është dashur t’i mësojë imtësisht. Një nga traditat që nuk i duken të përshtatshme janë vizitat e shumta nga të afërmit kur një grua sapo është bërë nënë.
Aldo: Cilat janë disa nga zakonet ose traditat shqiptare që ty të janë dukur më të veçanta, ndoshta edhe të habitshme krahasuar gjithmonë me Ukrainën?
Oksana Genkina Subashi: Për shembull, kur lindin gratë të vjen gjithë fisi në maternitet. Unë shyqyr i kisha vënë kusht burrit meqë e kisha dëgjuar se e kam shumë problem emocionalisht, nuk e di si durojnë gratë shqiptare.
Aldo: Durojnë të shkretat.
Oksana Genkina Subashi: Durojnë të shkretat, por unë mendoj që nuk duhet duruar sepse është një nga momentet më të bukura të jetës dhe duhet përjetuar vetëm me bashkëshortin e prindërit dhe është vështirë fizikisht e emocionalisht dhe duhet vetëm qetësi, ndihmë, suport, dashuri dhe jo 150 vetë rreth e rrotull./E.T