Një anije në pronësi të një shtetasi grek që kishte ngarkuar një sasi prej shtatë tonësh kokainë nga Amerika Latine dhe po mbërrinte në brigjet e Europës u “sulmua” nga autoritetet ligjzbatuese, duke prangosur 10 persona.
Hetimi u krye nga Divizioni i Narkotikëve të Greqisë në bashkëpunim me Administratën Amerikane të Zbatimit të Ligjit për Drogat (DEA).
Siç raportohet nga mediat greke, një anije u nis nga porti i Nea Michaniona dhe mbërriti në Amerikën Latine për të marrë kokainën. Anija u gjet nga marina franceze në Oqeanin Atlantik dhe u vu nën mbikëqyrje, ku u përcaktua se po transportonte drogë. Më pas filloi të tërhiqej në një port, në mënyrë që të numëroheshin sasitë e drogës.
I dyshuari si kreu i operacionit, thuhet se është pronari i anijes dhe i quajtur “Eskobari Grek”, është një figurë e njohur për autoritetet greke. Ai u lirua në fillim të këtij viti pasi vuajti 11 vjet nga një dënim me 22 vjet burg, pasi ishte dënuar në vitin 2004 për rolin e tij në transportimin e 5.5 tonë kokainë në bordin e anijes së peshkimit Africa 1.
Marina Franceze e ka tërhequr anijen nga Oqeani Atlantik për dy ditët e fundit në mbështetje të operacionit. Anija pritet të mbërrijë në portin e Pireut, ku do të numërohet droga dhe pesë të ndaluarit në bord do t’u dorëzohen autoriteteve greke./K.M
