Last Updated on 22/02/2025 by adminfjala
Ankthi dhe stresi tek të rinjtë dhe veçanërisht tek adoleshentët e deri tek nxënësit e shkollave është kthyer në një problematikë serioze në qytetin e Elbasanit por jo vetëm. Psikologët kanë konstatuar se këto simptoma mjaft të rrezikshme në adoleshencë po shkaktohen më së shumti nga konsumi i pijeve energjike në mënyrë të pakontrolluar.
Psikologia tregon varësinë që krijohet nga pijet energjike dhe pasojat tek të rinjtë. “Shikohen të rinj të cilët konsumojnë pijet energjike, duke u bërë pre e një rrjeti shumë të madh problemesh që kjo shkakton”, thotë Sonila Jaupbashi. “Si fillim është ai efekti shumë i mirë i momentit, rritja e virilitetit, nuk je më i përgjumur, sepse ndihmon kafeina. Por kafeina ka një efekt afatgjatë shumë të dëmshëm, sepse rrit nivelin e kortizolit, që është hormoni i stresit. Ti si një adoleshent që është duke u rritur, pëson një transformim të jashtëzakonshëm që zgjat në kohë. Ankthi dhe stresi në këto momente janë shumë të rrezikshme për të rinjtë. Duke qenë se kafeina është një drogë e lehtë, e lejueshme, ka varësi të jashtëzakonshme”.
Rastet konkrete kanë treguar që moskonsumimi i pijeve energjike kanë kthyer në normalitet të rinjtë që kanë kërkuar ndihmë për gjendje të ankthit. Duke e parësi një problematikë serioze kombëtare, psikologia propozon marrjen e masave drastike për shitjen dhe reklamimin e pijeve energjike veçanërisht pranë shkollave.
“Duhet ndaluar, ashtu si ndalohet alkooli për të rinjtë e një moshe të caktuar. Duhet të ketë një frenim për bizneset, por edhe për mediat, që e trumbetojnë gjatë gjithë kohës”, thotë ajo.
Edukimi i adoleshentëve që të duan dhe të kujdesen për veten e tyre, shikohet nga psikologia si përpjekja e parë që duhet bërë për ti shmangur më pas veset dhe varësinë nga pijet energjike. /E.T