Last Updated on 04/08/2025 by adminfjala
Nga Shpëtim Luku
Prej shumë vitesh më ka bërë përshtypje, dhe nuk jam i vetëm, ndikimi i emigrantëve shqiptarë gjatë kthimit të tyre në atdhe, sidomos gjatë verës. Kjo prani dy herë në vit, për Vitin e Ri dhe më theksuar gjatë sezonit të nxehtë, ka pasur ndikime të drejtpërdrejta në kursin e këmbimit të euros me lekun, por më tepër se kaq, ka qenë një test i vërtetë për kapacitetet infrastrukturore të vendit.
Rrugët tona, tashmë të ngushta, duken edhe më të pamjaftueshme për shkak të fluksit të makinave që vijnë nga jashtë. Aeroporti ndërkombëtar, që në vitet e para të dhënies me konçesion nisi të “zvogëlohej”, sot, në kohën kur udhëtimi me avion është bërë mënyra më e zakonshme e transportit për shqiptarët, duket krejtësisht i pamjaftueshëm.
Emigrantët, ndoshta pa qëllim, ekspozojnë me prezencën e tyre mungesën e vizionit afatgjatë dhe planifikimit strategjik të shtetit në lidhje me investimet publike. Këto investime, në dukje të mëdha, shpesh janë konceptuar duke marrë për bazë vetëm popullsinë rezidente në Shqipëri, pa llogaritur dinamikat reale të vendit, siç janë kthimet e përkohshme të emigrantëve apo rritja e ndjeshme e turizmit.
Tani që edhe turizmi ka marrë hov dhe Shqipëria është futur seriozisht në hartën e vendeve më të kërkuara për pushime verore, dobësitë infrastrukturore janë bërë edhe më të dukshme: rrugët janë të pamjaftueshme, portet dhe aeroportet nuk i përballojnë dot flukset, ndërsa infrastruktura për ujërat e zeza dhe ato të pijshëm është në gjendje problematike, sidomos në zonat turistike.
Duket, pra, se çdo investim publik bëhet për t’iu përshtatur situatës së krijuar, jo për t’i paraprirë asaj. Kjo mungesë vizioni është një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Në vend që të jemi të përgatitur për të nesërmen, duket sikur gjithmonë kapemi në befasi nga e sotmja.
