Ish-drejtoresha e AKSHIT-t, Mirlinda Karçanaj ka folur për herë të parë që pas akuzave nga SPAK dhe arrestimit të saj, pas hetimeve në lidhje me abuzimet me tenderat. E ftuar në Top Channel, Karçanaj tha se nuk ka zgjedhur heshtjen, por nuk ka pasur mundësi të flasë.
Ajo u shpreh se gjatë kësaj kohë ka jetuar si një emër në një ndosje dhe jo si një njeri.
Sa u përket hetimeve, Karçanaj tha se çdo proces duhet të hetohet, por jo duke poshtëruar personin.
“Unë nuk kam zgjedhur të hesht, por e kam pasur të pamundur të flas. Jam gjendur befas në një botë që isha e papërgatitur, botë e kthyer përmbys. Kam jetuar e mbyllur jo vetëm brenda katër mureve, por me atë vetminë e fajësisë të paracaktuar, e goditur me gurë nga të katërta anët. Por dhe me përgjegjësinë e një nënë që duhej të mbroja fëmijët e mi, kur unë nuk mbroja dot veten time. Kam jetuar si një emër në një dosje dhe jo si njeri që ka të drejtë të mbrohet.
Nuk kam ardhur këtu për të fajësuar askënd, por për trajtimin tim si një person që nuk jam. Dua të theksoj që çdo proces duhet të hetohet, çdo përgjegjësi të verifikohet, por jo duke poshtëruar cilido të jetë ai person.
Si mund të jem unë e pafajshme kur historia ime është treguar nga të gjithë ata që nuk e dinë si është kjo histori? Kur unë nuk jam pyetur për të gjitha të zezat që më janë veshur publikisht”, tha Karçanaj.
Kujtojmë se fillimisht ndaj Karçanajt u vendos masa e sigurisë “Arrest shtëpie”, ndërsa pak ditë më parë, Gjykata e Lartë e ndryshoi atë në “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim dalje jashtë vendit”./mxh
