Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve evropiane të NATO-s të rrisin kapacitetet e tyre ushtarake dhe të marrin drejtimin në mbrojtjen e kontinentit nga kërcënimi rus.
Mesazhi u përcoll nga nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat, Elbridge Colby, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Ai mori pjesë në vend të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe theksoi se Uashingtoni planifikon të reduktojë praninë e forcave konvencionale në Evropë, por pa u tërhequr nga aleanca.
“Evropa duhet të kalojë nga synimet te rezultatet konkrete dhe kapacitetet reale”, u shpreh Colby, duke kërkuar prioritizimin e efektivitetit luftarak, rritjen e gatishmërisë, forcimin e rezervave dhe zgjerimin e kapaciteteve industriale ushtarake.
Sipas tij, interesat strategjike “më të rëndësishme” për SHBA-në janë frenimi i Kinës dhe çështjet në kontinentin amerikan, ndërsa Evropa duhet të marrë rolin udhëheqës në mbrojtjen e saj konvencionale.
Aktualisht, rreth 85 mijë trupa amerikane janë të dislokuara në Evropë. Colby bëri të ditur se këto forca do të vendosen në mënyrë “më të kufizuar dhe më të fokusuar”, por garantoi se SHBA do të vazhdojë të ofrojë parandalim të zgjeruar bërthamor dhe do të respektojë nenin 5 të NATO-s, që e konsideron sulmin ndaj një aleati si sulm ndaj të gjithëve.
Verën e kaluar, vendet evropiane të NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të zbatohet konkretisht kjo rritje e buxheteve ushtarake.
Deklaratat e Colbyt vijnë pas tensioneve të muajit të kaluar mes SHBA-së dhe Danimarkës lidhur me Groenlandën, pasi presidenti Donald Trump kërkoi që territori arktik t’i kalonte SHBA-së, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të minimizojë përplasjet, duke theksuar se aleanca mbetet e bashkuar.
“Kjo aleancë gjithmonë gjen një rrugë përpara për të mbajtur të sigurt një miliard njerëz”, tha Rutte, duke shtuar se SHBA mbetet e “ankoruar në NATO”.
Ndërkohë, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes, aleatët e Ukrainës u zotuan për 35 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për këtë vit, sipas sekretarit britanik të Mbrojtjes, John Healey. Premtimet u bënë në kuadër të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, ku marrin pjesë 50 shtete./mxh
