Administrata Trump do të tërhiqet nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e popullsisë së OKB-së dhe traktatin e OKB-së që përcakton negociatat ndërkombëtare për klimën, duke shënuar një tërheqje të mëtejshme të SHBA-ve, nga bashkëpunimi global.
Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që pezullon mbështetjen e SHBA-së për 66 organizata, agjenci dhe komisione, pas shqyrtimit nga administrata e tij të pjesëmarrjes dhe financimit për të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë ato të lidhura me Kombet e Bashkuara, sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë.
Vendimi, përfshin agjenci, komisione dhe panele këshillimore të lidhura me OKB-në që përqendrohen në klimën, punën, migracionin dhe çështje të tjera, të cilat administrata Trump i ka kategorizuar si të orientuara drejt diversitetit dhe iniciativave të njohura me termin “woke”. Organizata të tjera në listë, jo pjesë e OKB-së, përfshijnë Partneritetin për Bashkëpunim Atlantik, Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore dhe Forumin Global Kundër Terrorizmit.
“Administrata Trump i ka konsideruar këto institucione si të tepërta në fushëveprimin e tyre, të keqmenaxhuara, të panevojshme, të shpërdoruara, të keqdrejtuara, të kapura nga interesat e aktorëve që avancojnë axhendat e tyre në kundërshtim me tonat, ose një kërcënim për sovranitetin, liritë dhe prosperitetin e përgjithshëm të kombit tonë”, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio në një deklaratë./K.M
