Një ekip shkencëtarësh në Korenë e Jugut ka zbuluar një mënyrë inovative për të ripërdorur mbetjet e kafesë, duke i shndërruar ato në material izolues për ndërtesa.
Studiuesit nga Universiteti Kombëtar Jeonbuk (JBNU) kanë arritur të krijojnë një material që performon po aq mirë sa izoluesit tradicionalë, por me ndikim shumë më të ulët në mjedis.
Sipas studiuesve, llumi i kafesë – i cili zakonisht përfundon në deponi ose digjet, mund të përpunohet në një material të qëndrueshëm dhe biodegradueshëm.
Duke pasur parasysh se në botë konsumohen rreth 2.25 miliardë filxhanë kafe çdo ditë, potenciali për riciklim të këtij materiali është i madh.
Procesi përfshin tharjen e mbetjeve të kafesë, shndërrimin e tyre në bioqymyr dhe më pas përzierjen me një polimer natyral për të krijuar një material poroz. Këto pore bllokojnë ajrin, duke e bërë materialin shumë efektiv në izolimin termik.
Testet laboratorike treguan se materiali i ri ka një përçueshmëri termike shumë të ulët, rreth 0.04 vat për metër për Kelvin, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel me materialet më të mira izoluese aktuale, si polistireni i zgjeruar.
Ndryshe nga polistireni, i cili prodhohet nga lëndë djegëse fosile dhe është i vështirë për t’u asgjësuar, materiali i ri është miqësor me mjedisin dhe biodegradohet relativisht shpejt. Në testet e kryera, ai humbi mbi 10 për qind të peshës brenda tre javësh, ndërsa polistireni mbeti pothuajse i pandryshuar.
Studiuesit sugjerojnë se ky material mund të përdoret veçanërisht në ndërtesat me panele diellore, për të reduktuar nxehtësinë që depërton në brendësi. Sipas tyre, kjo zgjidhje jo vetëm përmirëson efikasitetin energjetik, por edhe kontribuon në reduktimin e mbetjeve dhe ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme./kb
