Last Updated on 17/06/2026 by EL
A keni ndjerë ndonjëherë sikur mushkonjat ju zgjedhin gjithmonë ju si objektiv, ndërsa të tjerët mbeten të paprekur? Sipas shkencëtarëve, kjo nuk është thjesht përshtypje personale, por një realitet i mbështetur nga biologjia.
Studiuesit po bëjnë përparim në kuptimin e “koktejit” kompleks kimik që e bën një person më tërheqës për mushkonjat sesa një tjetër. Sipas entomologëve, nuk ka rastësi në zgjedhjen e tyre.
“Nuk është një keqkuptim mushkonjat tërhiqen më shumë nga disa njerëz se nga të tjerët,” tha për AFP Frederic Simard nga Instituti i Kërkimeve për Zhvillim në Francë. Megjithatë, ai shtoi se “nuk jemi të gjithë magnetë gjatë gjithë kohës”.
Si e gjejnë mushkonjat njeriun?
Mushkonjat femra – të vetmet që pickojnë, pasi kanë nevojë për gjak për riprodhim përdorin disa sinjale për të gjetur njerëzit. Kryesoret janë: dioksidi i karbonit (CO₂) që nxjerrim gjatë frymëmarrjes aroma e trupit nxehtësia dhe lagështia e lëkurës
Sipas shkencëtarit suedez Rickard Ignell, CO₂ është sinjali i parë që i orienton mushkonjat nga distanca të mëdha.
“Prej më shumë se 100 vjetësh e dimë që mushkonjat tërhiqen nga CO₂,” tha ai.
Kur afrohen në rreth 10 metra, ato fillojnë të dallojnë aromat individuale të trupit, të cilat i ndihmojnë të zgjedhin objektivin. Në distanca më të afërta, temperatura dhe lagështia e lëkurës e forcojnë edhe më shumë tërheqjen.
Roli i aromës së lëkurës dhe mikrobiomës
Shkencëtarët theksojnë se aroma e lëkurës është një faktor vendimtar. Trupi i njeriut prodhon qindra deri në mijëra përbërje kimike që formojnë një “profil aromatik” unik.
“Është një supë molekulash e prodhuar nga mikrobiota jonë që mund të jetë më ose më pak tërheqëse për mushkonjat,” shpjegoi Simard.
Një substancë që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është 1-okten-3-ol, i njohur edhe si “alkooli i kërpudhave”, i prodhuar nga zbërthimi i yndyrës së lëkurës. Edhe ndryshime të vogla në këtë përbërje mund të ndikojnë në tërheqjen e mushkonjave.
Studime mbi preferencat e mushkonjave
Një studim i fundit me mushkonjën Aedes aegypti testoi reagimin e insekteve ndaj 42 grave në laborator. Rezultatet treguan se mushkonjat preferonin më shumë disa persona, përfshirë gratë shtatzëna, të cilat prodhonin më shumë përbërje aromatike specifike.
Studiuesit identifikuan 27 komponime aromatike që ndikojnë në tërheqje nga rreth 1,000 të mundshme./et
