Një adoleshent i cili mbeti i plagosur në zjarrin që shpërtheu në resortin e skive në Zviceër natën e Vitit të Ri, ka ndërruar jetë në spital, duke e çuar numrin e të vdekurve në 41.
“Një shtetas zviceran 18-vjeçar vdiq në një spital në Zyrih më 31 janar”, tha në një deklaratë prokurorja publike e kantonit Wallis, Beatrice Pilloud.
Zjarri në barin Le Constellation në Crans-Montana, la të plagosur 116 persona, disa prej tyre të rinj nën 16 vjeç, të cilët ende po trajtohen në spital për djegie të rënda.
Zyra Federale e Zvicrës për Mbrojtjen Civile tha se që nga e hëna, 44 pacientë po merrnin trajtim jashtë vendit. 18 prej tyre në Francë, 12 në Itali, tetë në Gjermani dhe gjashtë në Belgjikë.
Gjetjet fillestare nga hetimi tregojnë se zjarri filloi nga fishekzjarrët e ngjitur në shishet e shampanjës. Autoritetet kanë pranuar se bari nuk i ishte nënshtruar kontrolleve të sigurisë për pesë vjet.
Pronarët e barit, Jacques dhe Jessica Moretti, janë akuzuar nga autoritetet për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie të qëllimshme nga pakujdesia. Procedime penale janë ngritur gjithashtu kundër kreut të sigurisë publike të bashkisë dhe një ish-inspektori të sigurisë nga zjarri të këshillit.
Një gjykatë zvicerane i ka vendosur një ndalim udhëtimi Jessica Morettit si alternativë ndaj paraburgimit. Ajo është detyruar të dorëzojë pasaportën e saj dhe duhet të paraqitet në polici çdo ditë. Ndërkohë, Jacques Moretti do të mbahet në paraburgim për një periudhë fillestare prej 90 ditësh./mxh
