Last Updated on 20/07/2025 by adminfjala
Nga Shpëtim Luku
Gazetarinë e shkruar e kam dashur me pasion. Para se të bëhesha gazetar profesionist, kisha mbi 180 shkrime të botuara në gazeta të ndryshme, pa e menduar kurrë si një rrugë karriere. E bëja thjesht nga dashuria për të shkruar, për të ndarë mendime, për të ngritur probleme, për të parë emrin tim të stampuar në një faqe gazete.
Kur nisa punë në gazetën e parë, euforia ishte e jashtëzakonshme. Më dukej sikur po jetoja ëndrrën time, se po punoja në profesionin më të bukur në botë. Por me kalimin e kohës, realiteti nisi të zbulohej pak nga pak. Përballja me problematika të ndryshme – disa të natyrës klasike për gazetarinë shqiptare, e disa të thellësisht specifike të redaksive ku punova – më bëri të kuptoj se idealizimi që kisha krijuar në mendje nuk përputhej me të vërtetën.
Ika nga gazeta e parë. Kalova në një tjetër. Pastaj në një tjetër. Por kudo njësoj: të njëjtat vështirësi, të njëjtat modele të brishta funksionimi, të njëjtat shenja rraskapitjeje të sistemit mediatik.
Një ditë, nga një impuls i çuditshëm, bëra një bilanc të karrierës sime në trajtën e një autointerviste.
“Ku ke punuar?” – e pyeta veten.
Dhe përgjigjja vinte me emrat e gazetave ku kisha dhënë kohën, energjinë dhe përkushtimin tim.
“Po ku janë sot këto gazeta?” – vazhdova bisedën me veten.
“Janë mbyllur… kanë falimentuar” – më erdhi përgjigjja.
Në atë çast kuptova se kisha punuar në media që sot nuk ekzistojnë më. Dhe nuk ishte faji im. Ishte fati i keq i një industrie në rënie.
Në ato momente, ndjeva fort nevojën për të bërë një ndryshim në jetën time profesionale. Dhe e bëra. Por lajmet e fundit për mbylljen e dy prej gazetave më të mëdha të printit në vend, “Panorama” dhe “Panorama Sport”, janë një kambanë alarmi për të gjithë ata që ende besojnë te gazetaria si profesion.
Po vijnë kohë të vështira. Jo vetëm për gazetat. Por për të gjithë ata që kanë besuar se fjala e shkruar është mjeti më i fuqishëm për të kuptuar dhe ndryshuar botën./kb