“Shpërdorimi i detyrës nuk është më as ‘zonë gri’ e as vepër e zakonshme, siç është përpjekur ta ‘paketojë’ pushteti i kalbur në Shqipëri. Por korrupsion, i pastër, i zhveshur nga çdo alibi.”
Kështu është shprehur Belind Këlliçi, pas miratimit të një direktive nga Parlamenti Europian, e cila, sipas tij, vendos një standard të qartë për trajtimin penal të kësaj shkeljeje.
“Dhe këtë nuk e thotë më opozita, as gazetarët shqiptarë, por vetë standardi europian. Direktiva e miratuar dje nga Parlamenti Europian vulosi përfundimisht, me miratimin e përfaqësuesve të 27 vendeve, se kjo shkelje përbën vepër penale.”
Në reagimin e tij, Këlliçi thekson se në Shqipëri kjo praktikë është kthyer në normë qeverisëse.
“Në Tiranë, shpërdorimi i detyrës përbën rutinë qeverisjeje, si streha e fundit e të korruptuarve dhe zhvatësve të shqiptarëve, duke u konsideruar madje aftësi dhe duke marrë dënime minimale. Por në Bruksel quhet me emrin e vërtetë: korrupsion, vepër penale e dënueshme si abuzim i rëndë.”
Më tej, ai shprehet se ky zhvillim duhet të shërbejë si një sinjal për këdo që beson se integrimi mund të arrihet përmes propagandës.
“Nëse ka mbetur ndonjë skeptik që beson se propaganda të çon në BE, ky është rasti për të kuptuar dallimin mes pushtetit që shpik normalitetin e vjedhjes dhe Europës që të tregon kufijtë qysh tek shpërdorimi i detyrës.”
Sipas Këlliçit, pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme nga opozita, ishte i nevojshëm një mesazh i drejtpërdrejtë nga Brukseli.
“Me gjithë përpjekjen e vijueshme të opozitës për ta denoncuar këtë ‘varkë shpëtimi’ për qindra zyrtarë të korruptuar, duhej ky sinjal i qartë nga Brukseli se për t’u integruar, çdo devijim standardesh paguhet me përjashtim.”
