Last Updated on 24/12/2025 by Monika
Zjarrfikësit kanë punuar për orë të tëra për të siguruar zonën pas një shpërthimi vdekjeprurës në një azil pranë Filadelfias.
Dy shpërthime të njëpasnjëshme dhe një zjarr i fuqishëm, që dyshohet se u shkaktuan nga rrjedhja e gazit, shkatërruan pjesërisht një azil pleqsh në Bristol Township, rreth 33 kilometra në verilindje të Filadelfias. Si pasojë, të paktën dy persona humbën jetën.
Sipas autoriteteve lokale, pesë persona rezultonin ende të zhdukur disa orë pas ngjarjes, ndërsa ekipet e emergjencës vijonin kërkimet në pjesën e shembur të ndërtesës. Shefi i zjarrfikësve të zonës, Kevin Dippolito, bëri të ditur se disa banorë dhe anëtarë të stafit, të mbetur fillimisht të bllokuar nën rrënoja, u shpëtuan.
Një numër i pacaktuar personash mbetën të plagosur dhe u dërguan në spitalet përreth për ndihmë mjekësore. Shkaqet e sakta të shpërthimit janë ende nën hetim, ndërsa autoritetet kanë nisur një verifikim të plotë të sigurisë së objektit.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje familjarëve të qëndrojnë në kontakt me shërbimet emergjente për informacion zyrtar./mxh
