Last Updated on 21/06/2026 by Kesjana
Festivali ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”, i cili këtë vit zhvillohet në edicionin e tij të tetë në Korçë, ka rikthyer në qytetin juglindor atmosferën e valleve, muzikës dhe traditave folklorike të vendeve të Ballkanit.
Artistë dhe ansamble folklorike nga disa vende të rajonit, përmes kostumeve tradicionale, ritmeve dhe koreografive të tyre kanë sjellë një mozaik kulturash në rrugët dhe sheshet e qytetit. Festivali nisi me paradën “Ngjyrat e Ballkanit”, ku grupet pjesëmarrëse marshuan në hapësirat kryesore të Korçës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve.
Kostumet shumëngjyrëshe dhe vallet tradicionale krijuan një atmosferë festive, duke e shndërruar qytetin në një skenë të hapur të kulturave të ndryshme. Mbrëmja e dytë vijoi me performanca artistike në skenën e festivalit në Pazarin e Vjetër të qytetit, ku përveç grupeve folklorike, publiku korçar ndoqi edhe koncertin e të ftuarës speciale, Kamela Islamaj së bashku me “Ritual Band”.
Drejtoresha e Artit dhe Kulturës në Bashkinë Korçë, Blerta Belliu, thotë se “Shpirti i Ballkanit” tashmë është kthyer në një aktivitet me rëndësi për jetën kulturore të qytetit, por edhe në një event që ndikon në promovimin turistik të Korçës.
“Shpirti i Ballkanit vjen në edicionin e tij të tetë. Një festival i cili i takon eventeve jo vetëm kulturore, por dhe atyre turistike për Korçën dhe jo vetëm. Kemi filluar dje me natën e parë ku ka qenë parada e ngjyrave të Ballkanit, ku kemi pasur pjesë disa grupe nga shumë vende të Ballkanit. E më pas, në skenën që unë kam mbrapa, kanë performuar dy grupe muzikore. Ka qenë e ftuar speciale Kamela Islamaj me ‘Ritual Band’. Ndërkohë sot, të gjitha ansamblet që dje kanë paraduar në sheshet e qytetit do të performojnë në skenën e Pazarit të Vjetër, për të vazhduar më vonë me një bashkëpunim shumë interesant dhe shumë të bukur në këtë edicion, një risi e këtij edicioni, Orkestra Simfonike e Korçës në bashkëpunim me orkestrën nga Katerini do të jenë së bashku për të gërshetuar dy kultura që na lidhin edhe më fort me njëra-tjetrën. Shpresoj që ky festival t’ia arrijë qëllimit dhe besoj që Korça do të ketë një turizëm të mirë nëpërmjet këtij festivali, por dhe shkëmbim kulturash shumë të bukura”, u shpreh Belliu.
Një ndër elementët më të veçantë të këtij edicioni është pikërisht bashkëpunimi artistik mes Orkestrës Simfonike të Korçës dhe orkestrës nga Katerini i Greqisë, një ndërthurje muzikore që synon të sjellë një tjetër dimension të lidhjes kulturore mes dy vendeve.
Pjesë e festivalit janë bërë edhe grupe folklorike nga Mali i Zi, të cilët për herë të parë kanë ardhur në Korçë për të prezantuar vallet dhe kostumet e tyre tradicionale. Artistët shprehen të impresionuar nga pritja, atmosfera dhe energjia e krijuar gjatë festivalit.
“Unë jam nga Mali i Zi, do të performojmë koreografitë tona. Dy koreografitë tona quhen Cërnagora dhe Cërnogorka. Është shumë kënaqësi këtu dhe shpresoj që edhe ju të kënaqeni duke na parë. Pashë grupin e shqiptarëve dhe më lanë pa fjalë. Kërcejnë aq bukur dhe janë gjithmonë shumë të qeshur dhe alegro. Më pëlqeu atmosfera që krijuan, janë gjithmonë të lumtur dhe më pëlqeu çdo gjë nga kërcimi i tyre”, shprehet artisti.
Për disa prej anëtarëve të ansamblit nga Mali i Zi, kjo vizitë është edhe një mundësi për të njohur nga afër qytetin e Korçës dhe traditat shqiptare.
“Ne vijmë nga Mali i Zi, do të performojmë dy kërcime. Ne kemi kostumet tona origjinale. Kjo është hera jonë e parë në qytetin e Korçës dhe jemi shumë të lumtur që kemi ardhur. Çdo gjë këtu është shumë bukur. Qyteti juaj është i vogël, por shumë i këndshëm”, shprehet anëtari i ansamblit.
Atmosfera e festivalit është pasuruar edhe nga pjesëmarrja e grupeve nga Greqia, të cilët kanë sjellë ritmet tradicionale greke përmes valleve si Zeibekiko, Zorba dhe Sirtaki. Për ta, festivale të tilla janë një mënyrë për të afruar popujt dhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi përmes kulturës.
“Ne vijmë nga Selaniku dhe do të kërcejmë koreografi folklorike, Zeibekiko, Zorba, Sirtaki. Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu, për ne është gëzim i madh. Urime organizatorëve dhe shpresojmë të vijmë sërish sepse në këtë mënyrë ne lidhim kulturat tona të Ballkanit. Kjo gjë na lumturon dhe është shumë e bukur. Ishim në Korçë edhe vitin e kaluar, rikthehemi sërish dhe është shumë bukur këtu”.
Përmes muzikës, valleve dhe shkëmbimit të traditave, “Shpirti i Ballkanit” synon të forcojë lidhjet mes vendeve të rajonit dhe njëkohësisht të pasurojë ofertën kulturore e turistike të Korçës./kb
