Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshhi në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Senatit të Republikës Italiane, Ignazio La Russa. Peleshi shoqërohej nga deputetët e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Italinë.
Gjatë takimit u riafirmuan lidhjet historike dhe aktuale miqësore mes dy popujve, të cilat përbëjnë bazën e bashkëpunimit të sotëm mes parlamenteve, qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve.
Kryeparlamentari Peleshi nënvizoi se Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt Bashkimi Europian, duke vlerësuar mbështetjen e fuqishme të Italisë dhe lobimin e saj me vendet e tjera anëtare të BE-së. Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe potencialet e reja për zgjerim në sektorë si teknologjia e informacionit dhe inteligjenca artificiale.
Nga ana e tij, Presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për avancimin e shpejtë dhe anëtarësimin sa më parë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi se dy vendet janë aleate të ngushta në NATO dhe vlerësoi politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe paqes.
Presidenti La Russa garantoi se Senati Italian do të vijojë të mbështesë dhe të nxisë Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës dypalësh mes dy vendeve. Në fund të takimit, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ftoi Presidentin e Senatit të Republikës Italiane, Ignazio La Russa, për një vizitë zyrtare në Shqipëri. /K.M
