Edhe ditën e sotme një pjesë e mirë e vendit u zgjua nën flakë, ndërsa zjarrfikësit bashkë me efektivë të Forcave të Armatosura janë në luftë me zjarrin duke vijuar punën në temperatura të larta, që të mbrojnë natyrën dhe jetën e njerëzve. Sakaq, raportohet se situata më problematike me flakët është në zona të ndryshme të Krujës nga ku bëhet me dije se vatrat e zjarrit, të favorizuara nga era, shpesh rindizen.
Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi ka ndarë detaje në lidhje me situatën aktuale të zjarreve në vend, nga ku bën me dije se vatrat e zjarrit riaktivizohen shpesh në në Abaze, Zidoll, Gryka e Vajës dhe Boje, duke rrezikuar zonat e banuara.
Bushi shton se situata në zonat e qytetit të Krujës që janë prekur nga flakët, vijon të mbetet shqetësuese, pasi herë pas herë zjarri i favorizuar nga era rindizet duke rrezikuar vendin dhe banorët. Megjithatë bëhet me dije se ndërhyrjet si nga toka ashtu dhe nga ajri po vijojnë dhe po punohet për normalizimin të situatës.
“24 orët e fundit kanë qenë tepër problematike, të ndikuara edhe nga temperaturat rekord të ditës së djeshme dhe erërat e forta, të cilat vështirësuan ndjeshëm situatën në terren.
Si pasojë, gjatë orëve të drekës u riaktivizuan të gjitha vatrat në Abaze, Zidoll, Gryka e Vajës dhe Boje, duke rrezikuar zonat e banuara. Në Abaze situata u përshkallëzua deri në nevojën për evakuimin e banorëve.
Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të forcave zjarrfikëse, ekipeve të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura dhe komunitetit të zonës, situata është monitoruar në mënyrë të pandërprerë, duke ndërhyrë sa herë vatra aktivizohej.
Situata mbetet shqetësuese dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme. Për këtë arsye, të gjitha strukturat janë në terren dhe do të vijojnë punën për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, me qëllim mbrojtjen e banorëve dhe të zonave të banuara” shkruan kryebashkiaku Artur Bushi në postimin e ndarë në Facebook-un e tij./ad
