Last Updated on 06/03/2026 by EL
Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën gjyqësore për dosjen “Partizani”, duke e caktuar atë për datën 2 prill 2026.
Shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e avokates Klodiana Gjyzari, e cila mbron Andia Pustinën dhe Studio Pustina. Ajo i ka kërkuar prokurorëve të SPAK të tërheqin akuzën ndaj kësaj të pandehure dhe ndaj studios.
Në parashtrimet e saj para gjykatës, avokatja deklaroi: “Në 28/02/2026, me ligjin e ri ka ndryshuar neni 287, i Kodit Penal. Paraqesim kërkesë që SPAK të përcaktoj saktësisht akuzën, që nëse Andia Pustina përfshihet në pikën 3 të nenit 287, sepse sipas nesh nuk janë subjekte të këtij ligji. Dhe kërkojmë tërheqje të akuzës.”
Pas kësaj kërkese, trupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë për të marrë në shqyrtim dhe analizuar argumentet e paraqitura nga mbrojtja.
Në dosjen “Partizani” është i përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ndaj të cilit rëndojnë akuza për korrupsion, si dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi./ET
