Last Updated on 14/04/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, ka deklaruar se nuk mbështet idenë e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se fokusi i opozitës duhet të jetë bashkimi dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, Duka u shpreh qartë se nuk ka qenë kurrë pro zgjedhjeve të parakohshme.
“As kam menduar ndonjëherë për zgjedhje të parakohshme, as nuk kam thënë ndonjëherë. Unë personalisht as nuk kam thënë dhe as nuk i dua”, deklaroi ai gjatë intervistës.
Sipas Dukës, problemi kryesor i opozitës në Shqipëri është mungesa e bashkimit, duke theksuar se partitë opozitare, të ndara, nuk kanë arritur të prodhojnë një alternativë të fortë politike.
“Opozita duhet të bashkohet sepse e kanë provuar që veç e veç nuk kanë nxjerrë në pah asgjë të madhe”, u shpreh ai.
Në vijim të intervistës, Duka solli edhe një krahasim me Hungarinë, duke përmendur mënyrën se si një lider atje ka ndërtuar kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Duhet të mësojmë nga ky hungarezi. Brenda dy viteve ai ka lëvizur në çdo cep të Hungarisë, ka biseduar me njerëzit, i ka dëgjuar hallet dhe ka dhënë alternativën e tij. Duhet krijuar kjo frymë edhe në Shqipëri. Opozita duhet të shkojë shtëpi më shtëpi. Ka edhe 3 vite kohë”, shtoi Duka.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur në kampin opozitar vijojnë diskutimet për bashkëpunim dhe strategjinë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare./A.D
