Last Updated on 24/09/2026 by EL
Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar pas shantazhit nga ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, teksa kjo e fundit po i drejtohej GJKKO-së. Lala tha se akuzat e Hysenit janë të pabaza, ndërsa shtoi se tendenca ishte për të frikësuar mediat dhe gazetarët që raportojnë lidhur me aferat e ish-drejtueses së SHISH.
Klodiana Lala tha se, si nënë, ndihet e lënduar, por si gazetare nuk është e shqetësuar dhe paralajmëroi se nuk do të tërhiqet nga raportimi i dosjeve të nxehta, përfshirë edhe atë të Vlora Hysenit, e cila, sipas saj, përmban detaje tronditëse.
“Si nënë u lëndova, si gazetare nuk më shqetëson aspak sepse jo Vlora Hyseni, por askush nuk më kërcënon dhe nuk më shantazhon në detyrën time dhe këtë e kam dëshmuar në më shumë se 23 vite punë edhe kur mbi familjen time, mbi vajzat e mia janë qëlluar plumba dhe kanë vënë në rrezik jetën e tyre. Do të vazhdoj të merrem me dosjen dhe aferat e zonjës Hyseni. Është dosja më tronditëse dhe kjo ka tronditur jo vetëm zonjën Hyseni”, theksoi gazetarja.
Ajo paralajmëroi se do t’i drejtohet SPAK-ut me kallëzim penal, lidhur me kërcënimin e Hysenit. “Kam folur me avokatin Dorjan Matlija për të bërë gati materialin dhe për t’ia dërguar SPAK-ut. Askush nuk mund të më njollosë emrin. Zonjën nuk e nxjerr dot unë nga gjirizi ku është futur, hesapet i ka me drejtësinë dhe jo me median. E pashë si mesazh që i adresohej gjithkujt dhe çdo njeriu që mund të flasë kundër zonjës Hyseni. Ishte një përpjekje e saj e dëshpëruar për të thënë se kam në duar sekrete dhe mund t’ju shantazhoj. Ka kryer një vepër të rëndë penale në dyert e SPAK dhe GJKKO”, tha më tej Klodiana Lala./ET
