Last Updated on 04/05/2026 by Monika
Salla e Akademisë së Shkencave u shndërrua sot në një epiqendër të mendimit dhe estetikës letrare, ku shkrimtari Arbër Ahmetaj prezantoi veprën e tij më të fundit, novelën “Gruaja e Ambasadorit”.

Në një atmosferë ku pesha e fjalës dhe sharmi i personazheve ishin kryefjala, autorit iu bashkuan kritikë dhe dashamirës të librit.

Gjatë takimit, Ahmetaj ndau me të pranishmit procesin delikat të krijimit të personazheve të tij.
Ai foli për “Gruan e Ambasadorit” jo thjesht si një figurë brenda kornizave të protokollit, por si një simbol të forcës dhe kompleksitetit njerëzor, për të cilën theksoi se është një personazh mjaft simpatik.

Autori shpjegoi se si ngjarjet e novelës lëvizin mes reales dhe psikologjikes, duke e mbajtur lexuesin pezull deri në faqen e fundit.
Të pranishmit nuk kursyen vlerësimet për stilin e veçantë të Ahmetajt.

Disa prej tyre vlerësuan mjeshtërinë me të cilën autori ka thurur intrigën, duke e quajtur strukturën e novelës si një “labirint elegant”, ku çdo detaj ka një peshë specifike.
Vepra “Gruaja e Ambasadorit” e Arbër Ahmetajt është një novelë që lëviz mes stilit realist dhe atij psikologjik, duke u fokusuar në botën e mbyllur dhe shpeshherë hermetike të diplomacisë.

Libri nuk mjaftohet vetëm me përshkrimin e jetës luksoze apo protokollare. Ai ndërton një intrigë rreth jetës private të personazheve që jetojnë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të opinionit dhe detyrës. Ngjarjet janë të gërshetuara në atë mënyrë që lexuesi të zbulojë gradualisht se çfarë fshihet pas fasadës së “përsosmërisë” diplomatike./mxh
