Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka mbajtur fjalën e tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian për sigurinë ushqimore.
Balla u shpreh se ligji i ri për ushqimin përbën hapa kyç për ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore. Ai shtoi më tej se sot në Bashkimin Europian ekziston një pritshmëri pozitive për ritmin me të cilin Shqipëria po negocion dhe po jep rezultate.
Ndër të tjera, Balla shtoi se në vitin 2026 do të ketë një qasje të re sa i përket kontrollit të zbatimit të ligjeve.
“Ligji i ri i për kontrollet zyrtare i përafruar me rregulloren e BE-së dhe puna për ligjin e ri për ushqimin përbëjnë hapa kyç për ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore. Shqipëria është në rrugën e duhur, vetëm duhet të ndryshojë marshin në më të shpejtë në në këtë drejtim strategik. Siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare dhe duhet parë më këtë fokus nga të gjithë. Kjo duhet reflektuar edhe në qasjen që duhet të kemi në marrëdhënien me procesin e negociatave. Sot në BE, qoftë në PE, KiE, apo KE ekziston një pritshmëri pozitive për ritmin me të cilin Shqipëria po negocion dhe po jep rezultate. Me të drejtë kryeministri i ka kërkuar ministrit dhe Kuvendit për të arritur rezultate konkrete në fushën e sigurisë ushqimore. Mbetemi të angazhuar si Kuvend dhe Këshill Kombëtar i Integrimit në përshpejtimin e ligjeve për sigurinë ushqimore. Në 2026 do të jetë një qasje e re sa i përket kontrollit të zbatimit të ligjeve. Adresimi i rekomandimeve të KE-së në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fito-sanitarisë është detyrë e përbashkët e të gjithë ligjëvënësve, pavarësisht se demokratët i kemi me mungesa këto kohë. Në Kuvend nuk ka asnjë parti politike që të jetë kundër anëtarësimit. E nevojshme të mbyllen kapitujt brenda 2027, me synimin tonë politik që anëtarësimin ta përmbyllim brenda kësaj dekade. Më pëlqen të them që më 28 nëntor të 2030 flamuri ynë të ngrihet në Bruksel krahas flamujve të vendeve të BE-së”, tha Balla. /Kb
