Last Updated on 29/04/2026 by Kesjana
Pedagogu i filozofisë, Prof. Dr. Gjergji Sinani, vlerësoi rëndësinë e vizionit për ndërtimin e një Bashkësie Ndërkombëtare me të Ardhme të Përbashkët për Njerëzimin, si një qasje që synon bashkëpunimin, zhvillimin e përbashkët dhe adresimin e sfidave globale.
Në një interviste me gazetaren Marjana Doda Sinani u shpreh se ky vizion mbështetet në tradita të thella filozofike dhe kulturore, ku në qendër qëndrojnë harmonia, virtyti dhe respekti për tjetrin.
“Në filozofinë kineze thelbi lidhet me rendin, virtytin dhe harmoninë. Këto janë vlera që mund të ndihmojnë botën e sotme përballë sfidave globale”, tha ai.
Sinani theksoi se problemet e kohës sonë, si ndryshimet klimatike, pabarazitë zhvillimore dhe siguria ndërkombëtare, nuk janë më çështje lokale, por shqetësime të gjithë njerëzimit.
“Sot shqetësimet janë globale. Kanë të bëjnë me mirëqenien, inovacionin dhe ruajtjen e mjedisit. Këto probleme prekin të gjithë njerëzimin dhe kërkojnë përgjigje të përbashkëta”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te trashëgimia filozofike kineze, Sinani vlerësoi ndikimin e mendimit të Konfucit, i cili sipas tij vendoste theksin te morali dhe përgjegjësia e drejtuesve.
“Konfuci e ndërtoi filozofinë e tij për t’u folur drejtuesve, me qëllim që ata të udhëhiqeshin nga virtyti dhe drejtësia”, tha Sinani.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e nismës “Një Brez, një Rrugë”, si një mekanizëm që nxit jo vetëm shkëmbimet ekonomike, por edhe afrimin kulturor mes popujve.
“Sot është e domosdoshme që krahas mallrave të shkëmbehen edhe vlera. Kultura është ajo që i afron popujt dhe jo thjesht interesat egoiste”, deklaroi ai.
Sipas Sinanit, bota ka nevojë për modele bashkëpunimi që shmangin rivalitetet shkatërruese dhe krijojnë mundësi zhvillimi për të gjitha vendet.
“Kjo iniciativë duhet përkrahur me qëllim që përfitues të jenë të gjitha kombet, që të luftohet varfëria dhe të ndahen frytet e inovacionit”, përfundoi ai./kb
