Në seancën e sotme plenare, deputeti demokrat Ivi Kaso ngriti shqetësimin për situatën e krijuar në Qarkun e Korçës pas reshjeve të dendura të javës së kaluar, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme dhe një viktimë. Kaso akuzoi qeverinë për mungesë veprimi dhe për menaxhim të dobët të emergjencës, duke theksuar se problematikat e hasura nuk janë pasojë vetëm e motit të keq, por e dështimeve institucionale.
Sipas deputetit, në zonën e Maliqit përmbytjet sollën jo vetëm dëme materiale, por edhe dëshpërim tek banorët, të cilët sipas tij u lanë pa mbështetje nga shteti. Ai përmendi 66 rezervuarë të pambajtur dhe të papastruar prej vitesh, ndërsa vuri në dukje se ura e Maliqit, ku sipas tij janë investuar 208 milionë lekë në vitin 2023, nuk e përmbushi funksionin për të cilin ishte ndërtuar.
Kaso shtoi se hidrovori i Vreshtasit dështoi në menaxhimin e situatës, për shkak të çarjes së argjinaturave në pikat më të dobëta, duke shkaktuar shkatërrimin e prodhimeve bujqësore, përfshirë misrin dhe patatet. Ai kërkoi sqarime për fondet e shpenzuara, duke ngritur pyetjen se ku kanë përfunduar paratë që nuk u përdorën për mirëmbajtjen dhe parandalimin e këtyre dëmeve.
Deputeti demokrat ndaloi edhe te bllokimi i rrugës së Velçanit, të cilën e lidhi me dëmtimet e shkaktuara nga, siç u shpreh ai, “hidrocentralet e parregullta”. Kaso akuzoi qeverinë dhe institucionet përgjegjëse se kanë dështuar në mbrojtjen e qytetarëve dhe në reagimin ndaj situatës.
“Banorët e Qarkut të Korçës nuk panë shtet, por vetëm ujë”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo nuk është një fatkeqësi e thjeshtë natyrore, por një krizë e menaxhimit shtetëror.
Kaso kërkoi angazhimin e menjëhershëm të institucioneve për të përballuar pasojat dhe për të garantuar që situata të tilla të mos përsëriten./mxh
