Rrëshqitjet e dheut të ditëve të fundit kanë krijuar një situatë të vështirë në fshatin Spathar të Librazhdit, ku si pasojë janë dëmtuar banesa, infrastruktura rrugore si dhe është vënë në rrezik siguria e banorëve.
Raportohet se më problematike paraqitet situata në lagjen Hoxha, si dhe në zonën ku më herët ndodhej depoja e furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët dhe infrastrukturën përreth.
Fenomeni është përsëritur disa herë brenda një ore, duke zhvendosur masa të mëdha dheu. Si pasojë, dhjetëra banesa kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa shtatë shtëpi janë dëmtuar rëndë.
Për familjet më të prekura është dhënë urdhër evakuimi, por banorët refuzojnë të largohen, duke argumentuar se nuk mund të braktisin bagëtitë dhe kursimet e jetës. Ata shprehen se janë sistemuar përkohësisht te të afërmit, por toka vijon të jetë e paqëndrueshme dhe rreziku mbetet i pranishëm.
Sipas banorëve, rrëshqitja e tokës ka dëmtuar rëndë edhe bazën ushqimore për bagëtitë, duke vënë në rrezik mbijetesën ekonomike të familjeve.
Autoritetet vendore, pas vlerësimit të situatës në terren, u kanë kërkuar banorëve të prekur të lënë banesat dhe të sistemohen në shtëpi me qira, të cilat do të kompensohen nga Bashkia për një periudhë njëvjeçare. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve, banorët vijojnë të qëndrojnë pranë pronave të tyre, nga frika se mos humbasin gjithçka.
“Siguria e banorëve është prioritet. U kemi kërkuar të largohen përkohësisht nga banesat, pasi rreziku është real dhe situata mund të përkeqësohet.”, tha kryeplaku i fshatit, Nazmi Xhabli.
Situata në fshatin Spathar mbetet nën monitorim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se çdo përkeqësim i kushteve mund të sjellë rrezik serioz për jetën e banorëve./KM
