Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë zhvilluar sot një takim me drejtorin e përgjithshëm të administratës tatimore Ilir Binaj.
Drejtori i përgjithshëm Ilir Binaj informoi biznesin për prioritetet e administratës tatimore për 2026 që nga zbatimi së re fiskale, rimbursimi i TVSH-së për individët, rimbursimet e TVSH-së për fermerët, formalizimi i ekonomisë me fokus të veçantë te pagat, jo duke rritur numrin e kontrolleve, por duke rritur kompetencën dhe profesionalizmin.
Binaj gjithashtu nënvizoi se industri si: ndërtimi, turizmi dhe siguria ushqimore do të mbeten në qendër të veprimtarisë të administratës tatimore.
“Edhe pse ndonjëherë roli i Dhomës së Tregtisë dhe anëtarëve të saj mund të duket i ndryshëm nga yni — ne kemi fokus mbledhjen e të ardhurave dhe përmbushjen, ju keni fokus rritjen e biznesit dhe krijimin e mundësive — besoj se objektivi ynë përfundimtar është i njëjtë: një ekonomi e fortë dhe e begatë. Në shumë raste, marrëdhënia mes administratës tatimore dhe bizneseve mund të jetë përballje dhe e vështirë, ndaj ne jemi këtu për të ndërtuar ura mes nesh.
E di që është e vështirë t’i bësh tatimpaguesit t’i pëlqejnë taksat, por duhet të kujtojmë se taksat janë çmimi që paguajmë për qytetërimin. Ne, si administratë tatimore, jemi në proces rishikimi të brendshëm për atë që kemi bërë gjatë 12 muajve të fundit dhe po përgatisim planet e operacioneve për vitin e ardhshëm, ndaj kontributi juaj është shumë i vlefshëm për ne.
Prioritetet tona kryesore si administratë tatimore për vitin e ardhshëm janë: zbatimi i paketës së re fiskale, paqja fiskale, rimbursimi i TVSH-së për individët, rimbursimet e TVSH-së për fermerët, formalizimi i ekonomisë me fokus të veçantë te pagat, jo duke rritur numrin e kontrolleve, por duke rritur kompetencën dhe profesionalizmin; duke kryer më pak kontrolle, por më të thelluara dhe më të plota. Industri si ndërtimi, turizmi dhe siguria ushqimore do të mbeten në qendër të veprimtarisë sonë.
Sa i përket harmonizimit me BE-në në kuadër të Kapitullit 16: administrata tatimore po punon me afate shumë të ngushta për harmonizimin dhe zbatimin e 50 direktivave të lidhura me administrimin tatimor, të asistuar nga Administrata Tatimore Suedeze.
Dua të them disa fjalë për paqen fiskale. Në të kaluarën ka pasur ankesa nga bizneset për frekuencën e kontrolleve tatimore, por nga ana tjetër, administrata tatimore ka detyrimin të mbledhë të ardhurat, dhe duke marrë parasysh nivelin e informalitetit, kjo nuk mund të bëhet pa masa të detyruara. Kështu, paqja fiskale është pika e mesit: administrata tatimore bie dakord të mos kryejë kontrolle për tatimin mbi të ardhurat, me premtimin e pagesave më të larta”.
Zoti Binaj gjithashtu u shpreh se në muajin janar do të nisë kontrollin në sektorin e ndërtimit, ku qasja do të jetë e njëjtë me një fushatë paralajmëruese 30 ditë më parë.
“Në lidhje me përpjekjet tona të harmonizimit, do të nisojmë në janar me sektorin e ndërtimit. Qasja jonë do të jetë e ngjashme me atë që kemi pasur më parë: do të fillojmë me një fazë informimi 30-ditore, duke sqaruar çfarë kërkojmë. Gjatë kësaj faze do të dërgojmë një numër të madh njoftimesh për të informuar dhe edukuar tatimpaguesit e identifikuar nga analiza e riskut. Për bizneset që nuk përgjigjen ndaj thirrjeve tona, do të nisin kontrollet, me fokus tek aktiviteti aktual si çmimet e shitjes, deklarimet e pagave, etj. m.p.
